Ruçi-Patozi, takim informal në Kuvend
Negociatat zyrtare për zgjidhjen e krizës janë ‘bllokuar’ në pikën e tyre më nevragjike, që janë fletët e votimit. Bisedimet direkte dhe takimet informale janë në qendër të axhendës së dy partive më të mëdha politike në Shqipëri. Ndonëse nuk ka një konfirmim zyrtar nga të dyja kampet politike, dy krerët e grupeve më të mëdha parlamentare kanë hyrë dje paradite në të njëjtën kohë në Kryesinë e Kuvendit. Takimi i ardhshëm zyrtar i dy të mandatuarve të PD-së dhe PS-së pritet të vendosë pikat më të qarta, duke konkretizuar me letër dhe laps atë çka pritet të arrihet nga këto bisedime. Objekti i punës së komisionit hetimor duket qartë se po ndan demokratët nga socialistët, pavarësisht progresit të parë të arritur, që është ulja në një tryezë. Pavarësisht se dy kryetarët e grupeve janë të zënë me negociatat, dy nënkryetarët e dy forcave respektive politike, Edi Paloka për PD-në, si dhe Saimir Tahiri për PS-në, kanë komentuar për “Deutsche Welle” se si i shikojnë ata këto negociata. “është rezoluta e Parlamentit Europian që i konsideron zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar si problematike dhe si të tilla të hetueshme nga Parlamenti. Gjithashtu dikton mazhorancën që të pranojë dhe të lejojë komision hetimor të kërkuar nga opozita, që duhet të hetojë të gjitha aspektet e zgjedhjeve, duke përfshirë këtu materialet zgjedhore, pastaj pse jo të shohim dhe çështjen e fletëve të votimit. Për të gjetur modalitetet që të shkojmë deri tek hetimi i fletëve të votimit, pasi kjo të ketë marrë më parë vendimin e Komisionit të Venecias”, thotë nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri. Nga ana tjetër demokratët shpresojnë që të konkretizohet një marrëveshje. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, thotë se “kemi të bëjmë me një qëndrim paksa të çuditshëm. Pranohet rezoluta, por nuk pranohet ajo që thotë rezoluta. Do të ishte më e ndershme që PS të deklaronte se ne nuk e pranojmë këtë rezolutë dhe kërkojmë hetimin e plotë dhe numërimin e fletëve të votimit. Por jo të thuhet se pranojmë rezolutën se ajo thotë që mund të numërohen fletët e votimit, gjë që nuk është e vërtetë. Pra duke pasur parasysh këtë fakt nuk jam shumë optimist se do të arrihet ndonjë marrëveshje. Megjithatë nuk dua t'ua pres hovin negociatorëve”.
#