E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në spitale,Formularë për të kuptuar sëmundjen e pacientit



QKCSA-MSH: Një strategji kombëtare për udhërrëfyes klinikë dhe formularë informativë për çdo të sëmurë

Diagnoza të papërcaktuara mirë, pacientë që nuk informohen mbi sëmundjen që vuajnë, mjekime të hamendësuara po çojnë gjithnjë e më shumë bluzat e bardha drejt gabimeve mjekësore me pasojë jetën e të sëmurëve. Në përpjekje për të ndryshuar këtë situatë, pacientët tani e tutje do të jenë në dijeni si për sëmundjen që mbartin, ashtu edhe me mjekimet që do të trajtohen. Për këtë janë përgatitur formularë informues për pacientët dhe udhërrëfyes për spitalet.

QKCSA

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH), do të nisë së shpejti shpërndarjen e formularëve informative të pacientit dhe udhërrëfyesve në të gjitha spitalet e Tiranës, për të filluar më pas zbatimin rigoroz të tyre.

Profesor doktor Isuf Kalo, i cili është edhe drejtor i QKCSA-së, bëri dje një prezantim të kësaj risie, që pritet të fillojë operimin me qendrat tona spitalore, jo vetëm në formën eksperimentale.

“Formulari ose letra informative dhe marrja e pëlqimit të pacientit doli si rezultat i hasjeve të disa problemeve, si informimi i pacientëve për sëmundjen dhe marrja e pëlqimit të tyre për ndërhyrjet tona mjekësore, ka ende mangësi të dukshme. Edhe kur merret pëlqimi, ai shpesh kryhet pa i informuar mirë paraprakisht të sëmurët”, - theksoi doktor Kalo.

Formulari

Qëllimi i këtij formulari është të jepet informacion i shkurtër, i qartë e i shkruar për sëmundjen apo procedurën dhe vetëm pasi pacientët ta kenë kuptuar informacionin, u merret pëlqimi duke firmosur. Një kopje e këtij informacioni dhe firma e pacientit të mbeten të dokumentuara në kartelën klinike.

Ndërsa, udhërrëfyesi i praktikës klinike është përgatitur duke u mbështetur në rekomandimet dhe studimet më të fundit të qendrave studimore në mbarë botën. Qëllimet e këtij udhërrëfyesi janë:

T’u ofrojë mjekëve të parësorit rekomandimet më të fundit të disponueshme për diagnostikimin dhe trajtimin e disa situatave shëndetësorë që ata hasin në praktikën e përditshme.

Të përshkruajë qartë procesin e punës klinike, duke ndihmuar si mjekët, ashtu edhe infermierët e menaxherët shëndetësorë në dhënien e një shërbimi sa më efektiv, si edhe ndihmë për pacientët, për të kuptuar më mirë gjendjen e tyre shëndetësore.

Vetë procesi i përpilimit të këtij udhëzuesi, ka ndihmuar gjithashtu në krijimin e një modeli të Bazuarit në Evidencë, të Bashkëpunimit Poli-profesional dhe Institucional dhe së shpejti dhe të Monitorit të efektit shëndetësor, model i cili do të shërbejë në të ardhmen për përpilimin e udhëzuesve sa më cilësorë.

“Mosinformimi paraprak për rreziqet e mundshme, mosmarrja e dokumentuar e pëlqimit të pacientit dhe mungesa e dhënies së llogarisë kur ndodhin gabime në dëm të shëndetit të pacientit, është shkelje e rëndë e të drejtave të pacientëve”, - përfundoi profesor doktor Isuf Kalo.

Udhëzuesit klinik

Udhërrëfyesit e praktikës klinike do të shpërndahen fillimisht në qendrat shëndetësore të Tiranës e më pas në të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH) ka arritur të formulojë udhëzuesit e parë.

Sipas drejtuesit të QKCSA-së, prof. dr. Isuf Kalo, udhërrëfyesi i praktikës klinike synon t’u ofrojë mjekëve të sistemit parësor rekomandimet më të fundit të disponueshme për diagnostikimin dhe trajtimin e disa situatave shëndetësorë që ata hasin në praktikën e përditshme, të përshkruajë qartë procesin e punës klinike, duke ndihmuar si mjekët, ashtu edhe infermierët e menaxherët shëndetësorë në dhënien e një shërbimi sa më efektiv, si edhe ndihmë për pacientët, për të kuptuar më mirë gjendjen e tyre shëndetësore.

Ndërkohë, QKCSA-ja, në bashkëpunim me Institutin e Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, ka hartuar dhe shpërndarë kohë më parë pesë udhëzuesit e parë klinikë, të cilët kanë të bëjnë me sëmundje shumë të përhapura si ato të hipertensionit, aksidentet vaskulare celebrale, diabeti tipi 2, anemia në insuficiencën renale kronike.

Gjithashtu, në ta përfshihet dhe udhëzuesi për mjekët e familjes për 8 diagnoza që janë pneumonia te adultët, astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, urtikaria, angioedema, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, insuficenca e zemrës, anemitë.

Sipas ISKSH-së, këta udhëzues janë për pesë diagnoza nga më të rëndësishmet dhe që kanë edhe barrën më të madhe të shpenzimeve në skemën e rimbursimit.

Udhëzues të tillë të certifikuar do të pasohen edhe me të tjerë për të krijuar një panoramë më të plotë, gjë që do të sjellë një transparencë më të madhe në sistemin shëndetësor dhe natyrisht bën të mundur që mjekët të kontrollohen më mirë për performancën e tyre në dhënien e diagnozave.

Sipas prof. Kalos, udhërrëfyesit janë një dokument i hartuar në mënyrë kolektive nga grupi i mjekëve që merren me çështjet, por e reja që sjellim ne në këtë proces është që dhe kjo eksperiencë e grupit të mos bazohet në eksperiencën e tyre klinike apo të një lideri, por të alternohet me evidencën shkencore më të re që ekziston sot në internet.

Ndihma Ekonomike

Punë me familjet problematike

Për personat që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Bashkia e Tiranës është propozuar që së fundmi të aplikohet punë publike me shërbimet në komunitet. Këtë vit është vendosur që të aplikohen edhe shërbimet në familje për të moshuarit dhe të vetmuarit, ku personat që marrin ndihmë ekonomike nga bashkia, tanimë punësohen edhe në këtë shërbim. Ofrimi i shërbimit në familje synon të ofrojë një alternativë të re të punës në komunitet për personat e aftë për punë, si dhe përfitues të skemës së ndihmës ekonomike si dhe t’u vijë në ndihmë të moshuarve të cilët për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje të kujdesen për veten e tyre. Këta persona mund të pastrojnë dhe rregullojnë ambientet e shtëpisë, të bëjnë pazar, shoqërimin e të moshuarve në institucionet publike dhe jopublike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›