Bashkia, prefektit: Respekto gjykatat
Bashkia e Vlorës akuzon prefektin dhe përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak se po pengojnë investimet në qytet.
Arben Beqiraj, shefi i kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, doli dje me një deklaratë për këtë çështje. Ai tha se “ndërkohë që Bashkia Vlorë është duke punuar, thuajse në të gjitha akset rrugore të qytetit, institucioni më i lartë i shtetit në Vlorë dhe më gjerë, prefekti i qarkut, shpall publikisht barrierat ndaj zhvillimit të këtyre investimeve”. Për këtë Beqiraj iu referua qëndrimit të prefektit në lidhje me ligjshmërinë e zgjedhjes së kreut të këshillit bashkiak. Prefekti deklaroi dy ditë më parë se nuk do ta njohë vendimin e Gjykatës së Apelit që ia jep drejtimin e këshillit një socialisti, por do të kërkojë nga Gjykata e Lartë ta shqyrtojë çështjen. Përfaqësuesi i Bashkisë së Vlorës thotë se vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe duhet respektuar. Sipas bashkisë, qëndrimi i prefektit Hasan Halili po pengon veprimtarinë normale të këshillit bashkiak, duke krijuar probleme për investimet në qytet.