Një vit në NATO, qeveria organizon festë në Tiranë
Ministria e Mbrojtjes ka organizuar sot një sërë aktivitetesh me rastin e njëvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dita në kuadër të këtij përvjetori do të çelet me një konferencë jubilare, ku do të mbajnë fjalën e rastit Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Kjo konferencë do të zhvillohet në selinë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe aty do të jepen edhe dekorata të shumta për ushtarakët dhe civilët, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në integrimin e Shqipërisë në NATO. Po kështu, dekorata në këtë ceremoni do të marrin edhe ata përfaqësues të Forcave të Armatosura, të cilët morën pjesë në situatën emergjente të krijuar dy muaj më parë në Shkodër si pasojë e përmbytjeve. Mbrëmjen e sotme, sheshi midis Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës do të pushtohet nga tingujt e muzikës simfonike. Në orën 19.00 në këtë shesh do të nisë një koncert muzikor, në të cilin do të marrin pjesë 100 instrumentistë frymorë. Sakaq, kjo simfoni do të shoqërohet edhe me solistë të operës dhe baletit për të krijuar një atmosferë më të plotë me rastin e këtij përvjetori të parë të aderimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në këtë festë do të marrin pjesë edhe krerët më të lartë të vendit, si Kryeministri Sali Berisha, Presidenti Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministra dhe deputetë. Ministria e Mbrojtjes i ka bërë ftesë zyrtare për këtë aktivitet edhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Shqipëria e mori ftesën e anëtarësimit për në NATO dy vjet më parë dhe brenda një viti arriti të përmbushte kriteret dhe të aderonte me të drejta të plota në Aleancë. Më 2 prillin e vitit 2009, së bashku me Shqipërinë, në NATO u anëtarësua edhe Kroacia, në një ceremoni në të cilën merrte pjesë edhe Presidenti amerikan, Barak Obama. Në NATO nuk arriti të përfshihej shteti ynë fqinj, Maqedonia, e cila u penalizua për shkak të problemeve të pazgjidhura mes saj dhe Greqisë për çështjen e emrit. Anëtarësimi i Shqipërinë në NATO është konsideruar nga Kryeministri Berisha si ngjarja më e madhe për kombin shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912.
#