Shtyhet gjyqi i komisionerëve dezertorë
Shtyhet përsëri seanca gjyqësore për gjashtë komisionerët e Komunës Portëz të rrethit të Fierit. Anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit Nr. 3119 dhe 3120 që u përkasin fshatrave Pluk e Kraps akuzohen për braktisje të detyrës. Gjyqtar Pirto Sota lexoi në fillim të seancës një letër të dërguar prej prokurorit çlirim Sino, i cili kërkonte që kjo seancë të shtyhej. Në seancën e djeshme merrnin pjesë të gjithë komisionerët e vënën nën akuzë. Lefter Kallashi, kryetar i KQV të fshatit Pluk, përfaqësues i PD-së, tha se nuk e pranonte akuzën. “Habitem pse na kanë sjellë këtu. Ne nuk kemi bërë asgjë të paligjshme. Ne nuk votuam për arsye të rrugës dhe për këtë rrugë ne u ngritëm disa herë në protesta. Edi Rama t’i zgjidhë vetë hallet që ka, se edhe po të kishim votuar prapë sot ne do të ishim në gjykatë, sepse ai nuk do ta besonte se çfarë ishte hedhur brenda kutive”, tha Kallashi. Ndërsa komisioneri i majtë, Abedin çobaj, tha se “ne kemi shkuar të merrnim kutitë te KZAZ në Patos, por nuk ishte komisioni i plotë, pasi nuk i ka lejuar populli dhe nuk na i dhanë dokumentet. Ne nuk ndiejmë asnjë lloj përgjegjësie”.
#