E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i buxheteve lokale, socialistët peticion Berishës

Fier Pas rastit të Lushnjës, strukturat e PS-së i drejtohen kreut të PD-së

Aleanca PD-LSI në nivel lokal vazhdon t’u krijojë probleme të zgjedhurve socialistë. Fenomeni është më i ndjeshëm në Qarkun e Fierit, ku pothuajse në të gjitha njësitë vendore të fituara nga PS, LSI ka numër të konsiderueshëm këshilltarësh. Të mërkurën ishte radha e Bashkisë së Lushnjës të provonte rrëzimin e projekt-buxhetit të vitit 2010. Pas rrëzimit të buxhetit në Lushnjë, strukturat e PS-së së Fierit kanë marrë vendimin e përpilimit të një peticioni për këtë çështje. Drejtuesit lokalë të PS-së thanë për “Shqip” se peticioni i është drejtuar Kryeministrit të vendit Sali Berisha, i cili si kryetar i PD-së ka përgjegjësi për orientimin e këshilltarëve në bashki që po vënë në rrezik funksionimin e këshillave bashkiakë. Peticioni i socialistëve të Qarkut të Fierit është firmosur nga këshilltarët socialistë të këshillave bashkiakë të Fierit, Patosit e Lushnjës, bashki këto që nuk kanë arritur të miratojnë buxhetin. Për këtë çështje ka reaguar dje edhe kreu i Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, Gramoz Ruçi. Ai tha për gazetën “Shqip” se ajo që po ndodh me këshillat bashkiakë në Qarkun e Fierit dhe në të gjithë vendin tregon edhe një herë panikun që ka kapur të djathtët për ardhjen e orës së të vërtetës. “Pas vjedhjes së votave dhe frikës së hapjes së kutive, edhe buxhetet e njësive vendore që drejtohen nga socialistë si pjesë e një skenari të rëndë prej demokratëve aktual janë vendosur të rrëzohen”, ka thënë Ruçi. Buxhetet e bashkive socialiste hasën në vështirësi për miratim që në fillim të vitit 2009, pas prishjes së marrëdhënieve mes PS-së dhe LSI-së, që kishin hyrë si aleate në zgjedhjet vendore të shkurtit 2007. Këtë vit, kur LSI-ja është aleate zyrtare e PD-së, vështirësitë janë bërë më të mëdha. Kështu, edhe pse jemi në muajin e katërt të vitit 2010, nuk janë miratuar ende buxhetet e bashkive të Tiranës, Durrësit, Fierit, Beratit, Lushnjës, Patosit dhe disa bashkive të tjera të vogla.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›