E Diel, 1 Nëntor 2026

Be shkurton me 20% fondet për Ballkanin Perendimor

Banka Europiane e Investimeve do të shkurtojë financimet e reja në vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe Shqipërinë, me arsyen se fondet e deritansishme nuk janë përdorur. Zëvendëspresidenti i Bankës, Dario Skanapieko, në një konferencë për shtyp në Beograd, tha se kreditë e reja në Ballkanin Perëndimor mund të ulen me 20 për qind, për t’i dhënë kohë vendeve të përdorin financimet e mëparshme.

Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar 4.2 miliardë euro kredi për projektet në vendet e rajonit tone, për periudhën 2007-2011. Por për shkak të vonesave administrative vetëm 2.43 miliardë prej tyre u disbursuan, duke lënë rreth 1.8 miliardë euro fonde të nënshkruara, por të papërdorura. Ne duam të shohim një përputhje më të mirë mes kredive që nënshkruajmë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përdorimit të tyre, çka do ta bënte ndihmën më eficente, deklaroi zvëndëspresidenti i BEI. Numri dy i BEI deklaroi se përmes kësaj strategjie banka synon të pastrojë të gjitha fondet e padisbursuara për projektet në Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Maqedoni.

Banka Europiane e Investimeve financon kryesisht projekte zhvillimi, që nga infrastruktura e deri tek mbështetja direkte për biznesin. Vitin e kaluar, ajo disbursoi 859 milionë euro financime në rajon, ku pjesën dërrmuese ose 67 për qind të tyre e mori Serbia.

Shqipëria është një nga vendet që përfiton më pak nga kreditë për projekte zhvillimi që jep Bashkimi Europian. Vetë qeveria shqiptare vitet e fundit ka preferuar më shumë ta orientojë huamarrjen drejt bankave islamike, për shkak të kushteve më të lehta, që vendosin këto banka në disbursime.

No related posts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›