E Shtunë, 31 Tetor 2026

Becirovic: Linjë ajrore Tiranë-Sarajevë

Dy kryeparlamentarët kanë diskutuar për nxitjen e projekteve të përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për projekte për Ballkanin.

Dy homologët theksuan se mes dy parlamenteve duhet të ketë shkëmbim të vizitave të nivelit të lartë, të paktën një herë në 2 vjet.  “Jemi të interesuar për rritjen e marrëdhënieve ekonomike në energji, infrastrukturë, transport, etj, dhe vlerësojmë eksperiencën tuaj në këto fusha. Një linjë direkte fluturimi Tiranë-Sarajevë do t’i shërbente afrimit të mëtejshëm të biznesit”, theksoi Becirovic.

Gjithashtu, ata diskutuan edhe për krizën ekonomike globale, ku theksuar se vendet e rajonit duhet të jenë bashkë për të përballuar pasojat e kësaj krize. “Në kohë krize që po përjeton bota, vendet tona të rajonit duhet t’i përgjigjen me më shumë bashkëpunim në të gjitha fushat. Duke shkuar në BE me zë të përbashkët si rajon mund të përfitojmë projekte të rëndësishme, qofshin këto në energji apo në telekomunikacion”, tha Topalli. Në takim u bisedua edhe për afrimin mes Universiteteve të dy vendeve, si mes Universitetit të Shkodrës dhe atij të Sarajevës.

Berisha: Ju mbështesim për në NATO

Kryeparlamtari boshnjak ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Sali Berisha, ku Bećirović shprehu vlerësim për transformimin rrënjësor që ka pësuar Shqipëria në të gjitha fushat gjatë viteve të fundit, si dhe arritjet e mëdha, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe avancimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim u evidentuan si fusha me interes për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh ajo e prodhimit të energjisë hidrike, sektori i industrisë minerare, fusha e turizmit, por edhe sektorët e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, shkëmbimet kulturore, etj. Kryeministri Berisha e siguroi zotin Bećirović se Shqipëria do të vijojë të mbështesë aspiratën dhe të gjitha përpjekjet e Bosnje – Hercegovinës për anëtarësim në NATO. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-14 13:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›