E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Arsimi shqiptar, drejt harmonizimit me atë evropian



Qindra investime ka pasur arsimi shqiptar vetëm në 5 muajt e parë të vitit. Harmonizimi i arsimit shqiptar me atë evropian ka bërë që programi “Cilësi dhe barazi në arsim” të jetë në qendër të vëmendjes së politikëbërjes shqiptare. Dje, në mjediset e hotelit “Adriatik” në Durrës, u zhvillua konferenca e radhës e këtij programi. Në këtë konferencë merrnin pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja, znj. Camille Nuamah, drejtuesja e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, përfaqësues të donatorëve të projekteve, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane e Investimeve, rektorë të universiteteve publike dhe private, drejtorë të drejtorive arsimore rajonale, drejtues të pushtetit vendor në Shqipëri, etj.

Ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, renditi arritjet e qeverisë gjatë katër viteve të mandatit, duke vendosur theksin kryesisht tek ulja e korrupsionit. Ai u shpreh se futja e Maturës Shtetërore, altertekstit, e një sërë reformash të tjera bën që publiku shqiptar dhe partnerët evropianë të rikthejnë besimin ndaj arsimit shqiptar. “Pak ditë më parë hyri në fuqi vendimi i qeverisë për dyfishimin e pagës së mësuesve të të gjitha kategorive në raport me pagën që ata merrnin në 2005, – vijoi më tej ministri Beja. – Ishte një vendim që u mor me shumë dëshirë nga qeveria, edhe pse jo i lehtë, po të kemi parasysh se mësuesit janë gati gjysma e punonjësve buxhetorë dhe tashmë kriza është bërë kryefjala e ditës në të gjitha vendet. Mësuesit tanë nuk kanë më rrogat më të ulëta të kontinentit si para pak viteve”.

Beja u bëri të ditur donatorëve se në vitet 2005-2009 janë ndërtuar 198 shkolla të reja të të gjitha kategorive dhe rindërtuar 802 të tjera, “çka do të thotë ndër të tjera që më shumë se gjysma e mësuesve punojnë në kushte shumë më të mira se para katër vjetëve”.

Një tjetër sukses i qeverisjes gjatë këtyre viteve, sipas Bejës, ishte edhe informatizimi i të gjitha shkollave. Vetëm gjatë muajve të parë të vitit janë pajisur me kompjutera një sërë shkollash, sipas tij.

“Më lejoni t’ju kujtoj se vetëm nga takimi i kaluar i dhjetorit e deri sot, pra në 5 muaj, ne kemi futur në sistemin arsimor 2000 laptopë+videoprojektorë, kemi instaluar 600 nga 665 kabinete informatike që janë në proces. E përsëris: ne jemi në kërkim të kohës së humbur. Ju kujtoj se në fund të vitit 2004 ne kishim gjithsej 32 kabinete informatike në shkollat tona, kurse sot kemi 1400 kabinete dhe 17 000 kompjutera”, – deklaroi ministri Beja.

Sakaq, ministri e cilësoi si “një reformë të përshpejtuar dhe shumëpërmasore” reformën në arsimin e lartë, i cili është në bazë të piketave të vendosura nga Karta e Bolonjës. Gjatë takimit të radhës të donatorëve të programit “Cilësi dhe barazi në arsim” u vlerësuan arritjet e qeverisjes në këtë fushë dhe zbatimi i programit, duke nënkuptuar vazhdimin e financimeve për të. Programi “Cilësi dhe barazi në arsim” është programi më i madh i vendosur në dispozicion të zhvillimit të arsimit shqiptar për të zhvilluar infrastrukturën e vet dhe për të shtuar transparencën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›