E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bell: Rritja ekonomike e Shqipërisë më e ulët se parashikimi i qeverisë

SHBA- Ndërsa në Tiranë vazhdojnë debatet mes pozitës dhe opozitës për buxhetin e vitit të ardhshëm, Fondi Monetar thotë se parashikimet e qeverisë shqiptare janë tepër optimiste. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish drejtuesi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell thotë se në kushtet e paqëndrueshmërisë ekonomike në Evropë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë edhe më e ulët.

“Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje prej më pak se 2 përqind në 2011 dhe një deri në 1 presje 5 përqind në 2012”, - u shpreh Bell.

Sa i përket eurizmit të qeverisë për një bum ekonomik, Bell vlerëson se ka dy probleme në deklaratat e saj.

“Ne kemi parë një rënie të ndjeshme nga rritja ekonomike e lartë mes viteve 1999 deri në 2008-ën. Pra rritja 6 apo 7 përqind u bë e zakonshme. Gjatë viteve të fundit kemi parë një rritje prej 3 apo 3 presje 5 përqind. Qeveria shqiptare këmbëngul tek 7 përqindshi, por edhe nga kjo shifër në atë që pretendohet tani, për 4 presje 3 përqind, prapë është një rënie e madhe. Fatkeqësisht ata nuk po e ulin parashikimin aq sa ne e shohim. Por parashikimi për buxhetin është problem dhe e kemi parë këtë dy vitet e fundit ku mosrealizimi i parashikimeve optimiste për të ardhurat, bënë që buxheti të rishikohej duke u ulur në mesin e vitit. Kjo nuk është mënyra e duhur për të planifikuar buxhetin dhe politikat fiskale”,- sqaron Bell.

Zoti Bell ka shprehur gjithashtu shqetësim për mandatin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndërkohë që nënvizon se politika nuk duhet të ndërhyjë në institucionet e pavaruara.

“Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital. Sigurisht guvernatori Fullani është një njeri i kualifikuar dhe këtë e ka provuar por dua të theksoj që të respektohet mandati i guvernatorit dhe bordit që ata të mund të marrin vendime ndoshta politikisht të vështira.Në se institucioni varet vetëm nga një person atëherë nuk është institucion”,- përfundoi intervistën e tij Bell.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›