E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina e Shullazit nuk ishte e Kuvendit të Shqipërisë

11/11/2011  Mohimi nga policia e Tiranës dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë

Benzi doli në ankand te rezervat e shtetit më 19 shtator dhe u ble nga një person

TIRANË- Njëzëri Kuvendi i Shqipërisë dhe policia e Tiranës mohuan dje lajmin e gazetave se Emiljano Shullazi lëvizte me makinën e Parlamentit. Në lidhje me automjetin tip Benz me targë TR.2703 L, i përdorur gjatë momenteve të kapjes në flagrancë për armëmbajtje pa leje të shtetasit Emiljano Shullazi, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik se automjeti me targë TR 2703 L, nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi më datë 19 shtator 2011 shtetasi Besnik Dogushi, ka blerë këtë automjet me ankand nga Drejtoria e përgjithshme e Rezervave të Shtetit. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, shtetasi Besnik Dogushi thekson se, automjetin me targë TR 2703 L e ka lënë për ta shitur në servisin e Mercedez Benz në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis, shtetasi Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësi. Ndërkaq, Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, thotë se “Në respekt të mirinformimit të opinionit publik dhe për të mos deformuar të vërtetën, Kuvendi përgënjeshtron si të pavërteta, keqdashëse dhe abuzive shkrimet e publikuara sot në disa të përditshme se “Makina e tipit Benz 240 me targa TR 2703 L është pronë e Kuvendit”. Në njoftim thuhet se lidhur me këto shkrime Kuvendi sqaron se: “Makina e tipit Benz 240, me targa TR 2703L, aludohet në shkrim se është pronë e Kuvendit të Shqipërisë. Sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë. Nga muaj qershor 2011 makina e lartpërmendur është dorëzuar në rezervat e shtetit veprim i kryer në përputhje me ligjin dhe që tregohet qartë nga procesverbali i dorëzimit dhe fletëhyrja e mjetit në rezervat e shtetit”. Shullazi u kap bashkë me mikun e tij Gilmondo Danin, me një pistoletë dhe disa maska, ndërsa një i tretë mundi të shpëtonte. Emri i Emiljano Shullazit mbetet ndër më emblematikët për dosjet policore, pasi është arrestuar, dënuar dhe liruar disa herë për “armëmbajtje pa leje” dhe “trafik droge”. Sot ai del para gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›