E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Korinth të Greyish 55.6% e popullsisë shqiptarë

11/11/2011  Studiuesi Dino: Si u njoha në Greqi me fshatrat që mbajnë emrin Panariti, në shtëpi flasin shqip edhe sot

Duke udhëtuar për punë në drejtim të Kalkidhiqisë, zonë turistike e përmendur pranë Selanikut, anës rrugës, në një banesë të sapondërtuar, më tërhoqi vëmendjen tabela me emrin e pronarit- Petros Panaritis. Mbiemri i tij, Panaritis, më krijoi ndjesi të veçanta, sepse për ne korçarët emri “Panariti” na kujton vendlindjen e Iljas Bej Mirahorit, i cili i dha një shtytje vendbanimit të vogël të atëhershëm në fushën e Korçës, duke u bërë krijues i qytetit të Korçës së sotme. Iljazi ishte djalë i priftit të fshatit Panarit me emrin Ilia, emër të cilin e shndërroi në Iljas, ku u vu në shërbim të Sulltan Bajazitit, i cili për merita të veçanta i dha si timar, në vitet e fundit të jetës, krahinën që njihet me emrin “Vakëfet”, ku përfshihet edhe vendlindja e tij, Panariti.

Në fillim nuk i dhashë shumë rëndësi tabelës, duke kujtuar që mbiemri i pronarit, Panaritis, mund të ishte mbiemri i ndonjë emigranti shqiptar nga krahina e Korçës, (ku ky mbiemër ndeshet shpesh), i cili mund të kishte emigruar prej kohësh në Greqi dhe ruante me fanatizëm mbiemrin e vjetër. Gjithçka ndryshoi kur miku im, Jorgo Niharko, duke ditur dëshirën time për të mësuar për arvanitasit, popullsinë shqipfolëse të Greqisë, më dha një libër duke më thënë: “Këtu ka shumë gjera për arvanitasit tënd”.

Emigrimet

Në pamje të parë, libri i autorit grek Jorgo Nakracias, “Afërsitë e ngushta etnike të grekëve, bullgarëve dhe turqve të sotëm” (Epiri – Greqia Jugore), nuk tregon asgjë për arvanitasit në Greqi. Megjithatë, sipas autorit, emigrimet e shqiptarëve nga zona e sotme e Shqipërisë në pjesë të ndryshme të Greqisë ka filluar qysh në shek. XIII pas K. dhe ka marrë përmasa të mëdha në kohën e pushtimit serb të Greqisë, kur masa të mëdha shqiptarësh erdhën në Greqi si ushtarë rrogëtarë të Despotit serb Stefan Dushanit. Ata e ndihmuan atë në pushtimin e Greqisë dhe si shpërblim për këtë u lejuan të vendosnin familjet e tyre në zona të ndryshme të vendit duke formuar qendra banimi që u dhanë emrat e fshatrave nga kishin ardhur. Ndërkohë do të merrnin pjesë edhe në ngjarjet e mëvonshme të Greqisë. Shfaqja e parë e arvanitasve në Argolidhë u bë si ushtarë të Theodhor Paleologut I-rë. Despoti bizant pushtoi më 1388 me “grusht shteti” zonën e Argolidhës, me përjashtim të fortesës së Nafplios, princesha e të cilit ishte martuar në këtë kohë me një frëng. Mbas këtij pushtimi nga bizantë të Argolidhës, francezët me ndihmën e arvanitasve arrestuan Dukën e Athinës Nerio Atzagioli, i cili ishte vjehrri i Theodhor Paleologut I-rë. Për të liruar vjehrrin, Theodhori braktisi më 1389 Argolidhën, e cila iu rikthye Nafplios frënge. Një pjesë e ushtarëve shqiptarë të Paleologut nuk u kthye në Despotatin e Mistrës, por mbetën në pjesën malore të Argolidhës në zona të mbrojtura për shqiptarët nga masat e qeveritarëve frëng. Më 1937 sulmet e turqve otomanë të udhëhequra nga gjenerali Bajazit Evrenos Beu rrëmbyen rreth 45.000 banorë grekë vendas dhe i çuan si skllevër në Azinë e Vogël. Pakësimi i popullsisë i detyroi venedikasit të ndjekin një politikë paqësore që i lejoi shqiptarët të qëndrojnë në Argolidhë me kushte të favorshme. Për këtë veprim qeveritarët e Nafplios u falënderuan me shkrim nga Senati Venedikas, shkrime që kanë arritur deri në ditët tona: Kështu më 1389 krerët venedikas falënderuan qeveritarët e Napfilios për vendosjen e shqiptarëve në Argos. (“Historia e kombit grek”, botimi 1981; faqe 275)

Të tjerë shqiptarë u ngulitën në Argolidhë më 1405 kur popullsia shqiptare e Etolias u detyrua nga Duka i Qefanolisë Tokko të merrte arratinë. Edhe mbas vitit 1418 erdhën shqiptarë në Argolidhë pas prishjes së plotë të shtetit shqiptar të Arkanasias dhe të Epirit të Jugut. Ngulimet shqiptare të Argolidhës ekzistojnë deri në ditët tona dhe pavarësisht se banorët shqiptarë të këtyre kaluan të gjithë në kulturën greke, ata ruajtën gjuhën e tyre, e cila flitet sot nëpër shtëpia.

Fshati Panarit

Në fshatrat shqipfolëse të Argolidhës është edhe fshati me emrin Panarit. Shihet menjëherë që ai është i rrethuar nga fshatra të tjera shqipfolëse, si Gjerbësi, Kurtaqi, Kuçi, etj., disa prej të cilëve me të njëjtat emra ndodhen edhe sot në zonën përreth Panaritit të Korçës. Dy fshatrat e tjerë me emrin Panarit ndodhen në zonën e Korinthit, njëri në lindje dhe tjetri në perëndim të tij.

Ngulitja e shqiptarëve në zonën e Korinthit njeh disa periudha të veçanta në kohë nga njëra-tjetra. Midis viteve 1385 dhe 1418 në Korinth vihen re ngulimet e banorëve shqiptarë, fenomen ky që lidhet me familjen sunduese Atzagioli. Më 1385 Nikolas Atzagiolis u caktua nga Anzhu, qeveritar i Korinthit, post që më vonë e trashëgoi nipi i tij dhe bir i adoptuar, Nerio Atzagioli. Ky ishte i pari udhëheqës frëng që lejoi vendosjen e shqiptarëve në zonën e qeverisur prej tij. Në vitin 1385 për herë të parë u vendosën në Korinth 3.200 shqiptarë, por numri i tyre duhet të ketë qenë më i madh se sa ky që jepet në dokumentet e shkruara, sepse vetëm tre vjet më vonë Nerios Atzagioli arriti që me ndihmën e shqiptarëve të fitojë ndaj spanjollëve të Athinës, ngjarje që tregon ekzistencën e një numri të madh ushtarësh. Më vonë Atzagioli u bë dukë i Athinës dhe pas vdekjes së tij zona e Korinthit u trashëgua nga Despoti i Mistrës në fronin e të cilit ishte ngjitur vjehrri i tij Theodhor Paleologu. (1384-1407).

Vala shqiptare

Ngulimi i dytë i rëndësishëm i shqiptarëve në Korinth u realizua në vitet e fundit të mbretërimit të Theodhor Paleologut I-rë, kur në ftesën e tij rreth 10.000 luftëtarë shqiptarë së bashku me familjet e tyre u shfaqën në Istmetin e Korinthit. Shqiptarët gjithsej ishin 50.000-70.000 veta.

Më 1407 rreth 10.000 Buide me kryetar Pavllo Bua Shpata braktisën zonën e Akarnanias dhe ikën në despotatin bizantin të Peloponezit dhe u vendosën në Korinth duke shënuar kështu valën e tretë të emigracionit shqiptar.

Vala e katërt e rëndësishme e ngulitjes së shqiptarëve në Korinth është pas vitit 1418 në kohën e prishjes së shtetit shqiptar të Epirit të Jugut.. Kjo ndodhi në vitin 1418 kur Duka e Qefalnisë Karl Toko i mundi shqiptarët në një betejë vendimtare ku u vra udhëheqësi i tyre, sunduesi i Janinës, Mavrik Bua Sguro. Mbas kësaj humbjeje ushtarake ndodhi një ikje masive e pothuajse të gjithë shqiptarëve të Prevezës dhe të Artës në zonën e Attikonotias dhe një pjesë e tyre u vendos në Korinth. Në ndryshim nga sllavët dhe frëngjët, të cilët me kalimin e kohës kaluan në kulturën greke duke braktisur jo vetëm besimin e tyre, por edhe gjuhën e tyre, shqiptarët, megjithëse kaluan edhe ata në kulturën greke ruajtën në shekuj gjuhën e tyre, e cila flitet akoma edhe sot nëpër shtëpitë e tyre. Në vitin 1887 Filirson sjell të dhëna që në zonat e Argolidhas, Korinthit, nga 122.822 banorë,68.280 ose 55.6% e popullsisë janë shqipfolës. Edhe në Korinth të dy fshatrat me emrin Panarit rrethohen nga fshatrat shqipfolëse me emrat Qesari, Pitsa, Kuçi, Psari etj, sinonimet e të cilave i gjejmë edhe sot në zonën përreth Panaritit të Korçës siç janë: Qesaraka, Psari, Selenica e Pishës, Kuçi etj.

Të dhëna historike

Nga këto të dhëna mund të nxjerrim konkluzion se fshati ekzistues i rrethit Korçë, Panariti është një fshat shumë i vjetër. Në shek XIII-XIV pas K., kur dokumentohet lëvizja e popullsisë shqiptare në drejtim të jugut të Gadishullit Ballkanik, duke pranuar tezën që ata u zhvendosën në kuadër të informacioneve ushtarake në shërbim të Despotit serb Car Dushanit, rezulton se fshati i Panarit ishte aq i populluar sa ishte i aftë të nxirrte formacione ushtarake relativisht të mëdha, të afta, që me gjithë humbjen që pësuan, duke marrë pjesë në veprimet luftarake të kohës të formonin ngulime, të cilave u dhanë emrin e fshatit nga i cili kishin ardhur. Këto fshatra që ekzistojnë edhe sot në Argolidhë dhe Korinth përmenden edhe në enciklopedinë greke me emrin e tyre - Panariti.

Theksojmë gjithashtu se pjesëtarët e ngulimeve shqiptare në Greqi ku bëjnë pjesë edhe banorët e Panaritit, që përmendëm më lart për arsye të ngjarjeve historike, u shpërngulën në Itali dhe prej aty në shtete të tjera të Evropës së atëhershme, duke dhënë një dëshmi të qartë të viteve të tyre ushtarake që njihet me emrin “stratioti” që do të thotë “ushtari”. Me 1463, ku turqit morën nga venetikasit Argolidhën shumë shqiptarë që kishin luftuar bashke me venetikasit ikën në fillim në zonat e pushtuara venedikase të Nafplios dhe në Itali dhe shërbyen si ushtarë me rrogë në ushtritë e shteteve evropiane të kohës, duke u dalluar për trimëri dhe aftësi luftarake. Në dokumentet venedikase që kanë shpëtuar deri në ditët tona përmenden mjaft emra shqiptarësh “stratiotë”, midis të cilëve, krahas atyre si Gjerbësi, Maneshi, Bardhi, Kryebardhi, Kuçi, Blesi etj, përmenden edhe ata me emrin Panariti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›