E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: “Diktaturat e profetët e rremë sjellin vetëm shkatërrim.

14-12-2010 / Gazeta 55

Dje, duke vizituar famullinë romake të Maksimilian Kolbes, Papa i ftoi besimtarët ta kërkojnë Jezusin në mirësinë e Zotit e jo në revolucione e ta dallojnë mirë nga ideologët, diktatorët e totalitarizmat që, duke u shembur, lanë pas zbrazëti të frikshme e shkatërrim të madh. Në famullinë romake, kushtuar Martirit të njohur polak, vdekur në një nga kampet naziste të përqendrimit, Papa kremtoi Meshën e së Dielës së tretë të Kohës së Ardhjes, që njihet me emrin “Gaudete”, “Gëzohuni!”. Ftesa për t’u gëzuar buron pikërisht nga leximet liturgjike, që Papa i citoi, duke i nxitur besimtarët t’ia përcjellin mesazhin e dashurisë të gjithë njerëzve. Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, i krishteri ndodhet para një pyetjeje me rëndësi të dorës së parë. Është ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, i cili i nis dishepujt për ta pyetur Jezusin: “Je ti, ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?". Pyetja e Gjonit, që shqetësohet, sepse nuk po shikon kurrfarë ndryshimi në botë, është e njëjta pyetje, që vijojnë të bëjnë shumë njerëz në rrjedhë shekujsh: “Je vërtetë ti? Apo bota duhet ndryshuar nga rrënjët? Ti nuk e bën këtë? E bëjmë ne! E erdhën shumë profetë, ideologë e diktatorë, që thanë: ‘Nuk është ai. Ai nuk e ndryshon botën! Jemi ne! E krijuan perandoritë e tyre, diktaturat e tyre, totalitarizmat e tyre, që ta ndryshonin këtë botë. Dhe e ndryshuan, duke e rrënuar me kulm e themel. E sot e dimë se nga këto premtime nuk mbeti tjetër, veçse një boshllëk i madh e një shkatërrim i hatashëm. Nuk ishin ata!”.
Pyetjes, që vijon të jehojë udhëve të botës - kujtoi Papa - na duket se Krishti i përgjigjet kështu: “Shikoni ç’bëra unë! Nuk bëra revolucion .. nuk e ndryshova botën me forcë, por ndeza shumë drita, që formojnë një udhë drite në rrjedhë shekujsh”.
Janë dëshmitarët e panumërt të fesë, që ndriçuan e ndriçojnë si yje në horizontet e zymta të shekujve të historisë, në shndërrim të vazhdueshëm. Janë njerëz, që i ngjasin Shën Maksimilian Kolbes, i cili flijoi jetën e vet, për të shpëtuar atin e një familjeje. Janë drita, që ndizen në errësirë, për t’u treguar të gjithëve ku mund t’i gjejnë njerëzit, që presin një dorë, e cila bëhet për ta dora e Zotit. Quhen Damian de Veuster: jetojnë e vdesin për të gërbulurit; quhen Nënë Terezë: çojnë dritë në errësirën më të dendur, e jetë, në viset e vdekjes. Gjithnjë me buzë në gaz, sepse të pushtuar nga drita e Zotit. Janë shumë, shumë. Konstelacione të tëra në qiellin e zi të kohëve të vështira. Papa kujtoi vetëm disa prej tyre, për t’i siguruar besimtarët se pikërisht kështu Zoti na bën ta ndjejmë afërsinë e tij:
“Zoti është pranë, jemi ne që shpesh i rrimë larg. T’i afrohemi, të shkojmë sa më pranë dritës së tij, ta lusim Zotin e, në sa lutemi, të bëhemi edhe ne vetë dritë për të tjerët”.
Të bëhemi dritë – na fton të gjithëve Papa në këtë kohë, kur presim Ardhjen e Zotit mbi tokë.
Benedikti XVI bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë: “Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim”/Në një epokë, që kërkon ndryshime të vazhdueshme, Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim e shpresë: këtë theksoi Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa ripohoi se shpresa e vërtetë, e cila nuk të zhgënjen kurrë, është ajo që bazohet mbi besnikërinë e Zotit.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, sipas traditës, bekoi shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake, që i mbanin në duar fëmijët e shkollave. Ishin më se 2 mijë fëmijët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me simbolet e Solemnitetit të afërt në duar. Me tullumbacet e tyre ngjyra-ngjyra, e mbushën me ylbere qiellin e zymtë të ditës së ftohtë dimërore, duke thelluar atmosferën e festës, krijuar tashmë në zemër të Sheshit nga Bredhi i stolisur i Krishtlindjes. Të jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit: Papa u ndalua tek ky fragment, shkëputur nga Letra e Shën Jakut, që sapo ishte lexuar në liturgjinë e së dielës, për të vënë theksin mbi vlerën e durimit. Koha e Ardhjes – reflektoi Ati i Shenjtë – na bën thirrje ta forcojmë me ngulm këtë vlerë shpirtërore. Durimi dhe qëndresa e shpirtit, na ndihmojnë të mos dëshpërohemi, në sa presim një të mirë, që vonon të vijë. Nuk duhet ta humbasim shpresën, pra. E jo vetëm që duhet ta presim me durim këtë të mirë, por duhet edhe t’ia përgatisim rrugën me besim të zellshëm: “Më duket se në ditët tona është më e rëndësishme se kurrë të nënvizohet vlera e qëndrueshmërisë dhe e duresës, virtyte të zakonshme për etërit tanë, që duket sikur e kanë humbur popullaritetin, në një botë që ngre në qiell ndryshimin dhe aftësinë për t’u përshtatur sa më shpejt e sa më mirë, në situata të reja, gjithnjë në ndryshim”. Duke u kthyer përsëri tek Letra e Shën Jakut, Papa rikujtoi shembullin e bujkut, i cili pret me durim frytin e çmuar të tokës. Krahasim shumë shprehës, nënvizoi Ati i Shenjtë: “Bujku nuk është fatalist, por model i një mendësie, që bashkon me drejtpeshim fenë e arsyen sepse, nga njëra anë i njeh ligjet e natyrës dhe e kryen mirë punën e vet, ndërsa nga ana tjetër, mbështetet në Provaninë hyjnore, nga që disa gjëra nuk janë në duart e tija, por në ato të Zotit”.
Qëndrueshmëria e durimi – vërejti Benedikti XVI – janë pikërisht sintezë e impenjimit të njeriut dhe e besimit tek ndihma e Zotit. Si mund ta bëjmë edhe ne këtë? Si mund t’i forcojmë zemrat tona, krejt të brishta? Si mund t’i ruajmë, të mos thyhen, kur kultura, që i rrethon, i rrezikon nga të katër anët? “Ndihma nuk na mungon: është Fjala e Zotit. Në të vërtetë, në sa gjithçka kalon e ndryshon, Fjala e Zotit nuk kalon. Në se ngjarjet e jetës na bëjnë të ndjehemi të humbur e çdo siguri na duket e kotë, e kemi një busull, që na tregon rrugën; një spirancë e kemi, që na ndihmon të mos përfundojmë në fund të detit”.
Na ofrohet një model – vijoi Papa - është ai i profetëve, i njerëzve që Zoti i thirri të flasin në emër të vet: “Profeti e gjen gëzimin e forcën në Fjalën e Zotit, e, ndërsa njerëzit shpesh e kërkojnë lumturinë në rrugë, që më pas dalin të gabuara, ai kumton shpresën e vërtetë, atë që nuk të zhgënjen, sepse ngrihet mbi themelin e besnikërisë së Zotit”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›