Sarandë, prag epidemie tek fëmijët, shkak virozat e stinës
Në spitalin rajonal Petro Nako" të Sarandës, është e vështirë të gjesh një shtrat bosh për të shtruar një fëmijë me virozat e stinës. Kjo është gjendja e deklaruar nga shefi i repartit të fëmijëve, dr. Minella Nini. Shkak i tejmbushjes me shtrime fëmijësh i këtij pavijoni është bërë situata dhe gjendja shëndetësore e rënduar për qytetin dhe rajonin e Sarandës.
Veç shtrimeve të zakonshme për të marrë ndihmën e domosdoshme shëndetësore në pavijon paraqiten edhe shume prindër e fëmijë që marrin mjekimin e rekomanduar nga mjeku dhe në shtëpi vazhdojnë regjimin e shtratit sipas porosive dhe këshillimit të mjekëve. Shefi i pavijonit të pediatrisë, Minella Nini pohon gjendjen e rënduar në 10 ditshin e parë të muajit mars por, sipas tij, gjiithë personeli mjekësor ka qenë i angazhuar për të përballuar këtë situatë të veçantë. Shtimi i rasteve me virozë për të gjitha moshat e fëmijëve kanë rritur kujdesin për mjekimin dhe gatishmërinë ndaj rreziqeve të ngritjes së temperaturës dhe përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Kolla, temperatura, heqja e barkut, të vjellat dhe rrufë kanë qenë shenjat me shfaqura të virozave për këtë stinë. Në këtë spital kryhen rreth 50 vizita mjekësore në ditë. Prekja e shumë fëmijëve nga virozat vihet re edhe nga mungesat e shumta të nxënësve në shkolla, por që ende nuk ka marrë përmasat e epidemisë.