E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Sezoni turistik i dështuar

Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha se edhe ky sezon turistik është në vazhdën e dështimeve të qeverisë në 7 vitet e fundit.

“Pas 7 vjetësh qeverisjes të Berishës, pushuesit e vizitorët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, pushuesit e vizitorët ankohen për mungesën e kanalizimeve, pushuesit e vizitorë ankohen për mungesën e energjisë elektrike, pushuesit e vizitorët ankohen për mbeturinat e kudondodhura, ndërsa Sali Berisha ne mes të sezonit turistik u bëri dhuratë lejet për import plehrash”, tha ai.

Ai shprehu shqetësimin e rritjes së numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen, plaçkitjet e shumta të turistëve, i djegies së parqeve kombëtare. “Ky është sezoni turistik i plazheve të zbrazëta. Bosh plazhet e Durrësit e të Golemit, bosh plazhet e Vlorës e të Orikumit, bosh hotelet e Sarandës e të Divjakës. I vetmi investim në turizëm këtë verë është vila qeveritare në Vlorë. Të gjithë shqiptarët e panë dje se si shpërdorohen paratë e tyre, ndërsa qeveria është e interesuar vetëm për turizmin e vet. Ka një lajm të mirë për shqiptarët. Kjo është vera e fundit në sundimin e pushtetit të Saliut. Verën e ardhshme vendi do të drejtohet nga qeverisja e Partisë Socialiste. Ne kemi një plan për rilindjen e turizmit shqiptar. Është pjesë e planit tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë si domosdoshmëri për rilindjen e Shqipërisë”, shtoi ai. /Start/

                                                                                             2012-08-14 19:46
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›