E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, AMC sponsorizon konteniere për mbeturinat në lagjen Kala

>Kompania e telefonisë celulare AMC ka investuar në qytetin e Beratit në kuadër të bashkëpunimit të saj me pushtetin vendor. Bashkia e këtij qyteti në kuadrin e programit të saj qeverisës dhe përgjegjësisë institucionale pas pranimit të këtij qytetit në listën e Trashëgimisë të Pasurisë Botërore, UNESCO prej ditësh është angazhuar për thithjen e donatorëve të ndryshëm për të bërë të mundur zbatimin e projekteve në territorin e kësaj bashkie kryesisht në zonat muzeale. Pjesë e këtij programi, sektori i mjedisit në bashkëpunim me drejtorinë e Urbanistikës dhe Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës hartoi projektin  së bashku për një qytet turistik të pastër me synimin e vetëm sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për kujdesin që ata duhet të tregojnë në mbrojtjen e mjedisit, si një aktor kryesor në mbrojtje të resurseve natyrore e kulturore , si një përgjigje e përgjegjësisë qytetare. Bashkëpunëtori kryesor në zbatim të këtij projekti ka qenë kompania telefonike AMC, e cila me një donacion prej 459 510 lekë ka bërë të mundur realizimin e 51 koshave të këtë zonë muzeale. Paraditen e djeshme përfaqësues të kësaj kompanie kanë qenë në këtë qytet ku është zhvilluar ceremonia e vendosjes së plotë 51 kontenierve. Në lagjen Kala, një nga më të rëndësishmet në këtë qytet e banueshme ende me plotë 331 familje ndihej mungesa e koshave. Shpesh herë mungesa e tyre përbënte problem për vizitorët e shumtë të cilët nuk kishin se ku të hedhin mbeturinat e krijuara, ndërsa vizitonin objektet muzeale të kësaj lagje. Në këto kushte ishte e domosdoshme që lagja Kala të pajisej me kosha, vendosja e të cilave u mundësua me investimin prej 459 510 lekësh nga kompania e telefonisë AMC. Kontenierët janë vendosur në të gjitha ambientet e kësaj lagje, prania e të cilave jo vetëm që do të minimizojnë mbeturinat në rrugicat e lagjes Kala, por dhe do të ndikojë në ndërgjegjësimin e banorëve për mbajtjen pastër të ambientit. Koshat e vendosur dje janë brenda funksionit dhe në përputhje të plotë me zonën muzeale. Si një detyrë funksionale për të rritur cilësinë e jetës dhe vlerat kulturore e muzeale të qytetit, Bashkia e Beratit do të vazhdojë zbatimin e këtij projekti më pas dhe në zonat e tjera muzeale dhe në të gjithë qytetin.           

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›