E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku arkeologjik i Antigonesë pajiset me tabela orientuese për vizitorët

>Ka përfunduar së realizuari projekti i përbashkët i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Antigone dhe Qendrës për Trashëgimisë Shqiptare për pajisjen për herë të parë me një sinjalistikë moderne të mjediseve të brendshme të Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Sipas drejtorit të këtij parku, Engjëll Serjani, Projekti për vendosjen e këtyre tabelave orjentuese për turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj i shërben përmirësimit të sinjalistikës dhe infrastrukturës së brendshme të Parkut Arkeologjik Antigone. Sipas projektit në mjediset e qytetit antik të Antigonese janë vendosur një numër tabelash treguese që përmbajnë informacion të shkurtër historik dhe të dhëna të tjera nga gërmimet arkeologjike shumëvjeçare, me tekst në shqip dhe anglisht, harta, skica dhe fotografi, për qytetin antik të Antigonesë. Këto të dhëna do të ndihmojnë vizitorët dhe turistët vendas e të huaj për të vizituar parkun pa praninë e ciceronit. Gjatë realizimit të këtij projekti, ekspertët e ZAKPAA-së janë angazhuar në një proces parapërgatitor pune për grumbullimin e materialit bazë historik, fotografive, skicave dhe hartave nga terreni, të cilat pas miratimit nga Këshilli Shkencor të IMK dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve pranë MTKRS-së dhe kryerjen e të gjitha aktiviteteve të projektit në terren. Grupi i përbashkët i punës, i përbërë nga specialistët e parkut, Ilirjan Lluri, Stefan Thimjo e Lame Aliko dhe ekspertët e Qendrës për Trashëgiminë Shqiptare që u angazhuan në realizimin e projektit kanë bërë një punë të lavdërueshme si në përgatitjen dhe redaktimin e tekstit, përpunimin e hartave, skicave e fotografive, ashtu edhe në përpunimin grafik të të dhënave, përgatitjen e paneleve, prandaj gjej rastin të falenderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer Qendrën për Trashëgiminë Shqiptare dhe Institutin e  Shkencave Humane Packard që financoi realizimin e plotë të këtij projekt, u shpreh drejtori i parkut, Engjëll Serjani. Tabelat e autoguidës janë vendosur në pika të ndryshme të parkut, në afërsi të monumenteve sipas një tematike të paracaktuar nga hartuesit e projektit që përfshin, vendndodhjen e Antigonesë në luginën e Drinos, historia e qytetit, muret rrethuese fortifikuese, akropoli, urbanistika e modelit hipodamik, banesat me peristil të qytetit, agoraja, bazilika dhe mozaiku paleokristian, historikun e zbulimit, ekspeditat dhe gjetjet arkeologjike të Antigonesë. Modeli i paneleve dhe tabelave është i ngjashëm me tabelat e vendosura në parkun Kombëtar të Butrintit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›