Fier, banorët e fshatit Levan braktisin shtëpitë, shkak rrëshqitja e dherave
>Më shumë se 20 familje janë larguar nga shtëpitë e tyre në fshatin Levan të komunës me të njëjtin emër, për shkak se shtëpitë e tyre kanë filluar të shemben. Rrëshqitja e dheut e si pasojë edhe çarja e mureve të shtëpive, i ka detyruar banorët të largohen nga shtëpitë, duke u strehuar provizorisht në një shkollë aty pranë. Janë 100 persona, të cilët kanë marrë sendet më të nevojshme e kanë braktisur shtëpitë e gjithë orenditë, për tu mbrojtur nga shembja e shtëpive, të cilat pas reshjeve të ditëve të fundit janë dëmtuar edhe më shumë.
Plasaritje të mureve e shembje të pjesshme të tavanit, dëmtime të dukshme në oborre e çati. Kanë qenë këto shenjat e shkatërrimit të banesave, të cilat prej kohësh kanosnin rrezik, por që tashmë janë seriozisht të dëmtuara. Vetë banorët tregojnë se kanë jetuar nën ankthin e frikën se një ditë tavani do tu binte mbi kokë e do ti zinte poshtë. Për këtë arsye, të 20 familjet janë shpërngulur për diku tjetër. Shkolla e fshatit është bërë streha e tyre provizore derisa komuna të marrë edhe masa për riparimin e banesave, pasi me të ardhurat familjare nuk mund të bëhet asgjë. "Dheu ka nisur të rrëshqasë nga pjesa e poshtme ku kalon edhe rruga nacionale Levan-Vlorë. Rreziku ndjehet më shumë kur bie si, pasi toka rrëshqet e nuk mund të qëndrojmë brenda shtëpive. Shpesh herë jemi ankuar në komunë për të gjetur në zgjidhje mbi këtë problem, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kemi fëmijë e të moshuar, të cilët nuk kemi ku ti çojmë. Dalim nga shtëpitë të tmerruar se mos na zënë brenda", shprehet Xhezmi Habaraj, njëri prej personave të dëmtuar. Por të njëjtat shqetësime kanë ngritur edhe bashkëfshatarë të tij, të cilët tregojnë se pas rrëshqitjes së dheut, kanë bërë njoftimet edhe në komunën e Levanit, për të ndërhyrë në riparimin e shtëpive dhe gjetjen e një zgjidhje të shpejtë, pa ndodhur ndonjë katastrofë. Burime brenda komunës Levan kanë deklaruar se janë në dijeni të problemit në fjalë e se tashmë po bëjnë gati gjithë dokumentacionin për tia përcjellë këtë të fundit qeverisë. Vetë kryetari i komunës, Agim Qejvani është shprehur se institucioni që ai drejton është duke ndjekur edhe procedurat e domosdoshme për të përfituar fondet nga ana e qeverisë. Qejvani ka deklaruar se shqetësimi i banorëve është mëse i drejtë, por komuna nuk ka fonde të mjaftueshme për të bërë ndërhyrje në këto banesa dhe për këtë gjë kërkohen ndihma nga qeveria. Ai ka mbështetur gjithashtu edhe largimin e banorëve nga shtëpitë, pasi situata është cilësuar kritike.