E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse Uashingtoni, nuk thotë, Jo!, Berisha gati edhe për një mandat të dytë

>Nga Robert Papa
Qëndrimi i Berishës edhe për një mandat tjetër në ish-zyrën e Fatos Nanos, varet nga Uashingtoni. Nëse amerikanët, e shikojnë si kontrollues të situatës dhe mos degjenerim të rajonit, ai do tolerohet edhe për një mandat të dytë qeveritar.  Për të qenë realist, Berishës një mandat ia kanë borxh më 2001, kur ai u largua me armë në vitin 1997. A u soll mirë me amerikanët Berisha? Çfarë të kishte bërë më mirë. Pranoi të gjitha kërkesat e tyre, madje favorizoi edhe firmat amerikane, madje duke krijuar probleme me elektoratin e vet, duke u përfolur për korrupsion të qeverisë ,mbasi propaganda e tij ka qenë shumë e dobët dhe media kryesore vazhdoi të ishte nën kontrollin e së majtës ekstreme apo liberale dhe anti e djathë në gen. Berisha, për t'i ardhur pas "qejfit" Uashingtonit, u distancua nga baza e së djathtës dhe nga demokratët nacionalistë duke shkuar shumë majtas e duke iu dhënës shumë pushtet ministrave të majtë dhe atyre me probleme dhe mëkate me Sigurimin e Shtetit. Berisha nuk guxoi të kontrollonte as SHIK-un e as Prokurorinë, për të mos folur për Drejtësinë sepse presidenti Moisiu ishte një mbrojtës stoik i së majtës dhe ish-nomenklaturës së kuqe. Berisha u gjunjëzuar para disa lobeve dhe klaneve të pa njohura për të mbajtur si ministër të jashtëm Mustafain i njohur si jo i djathtë as nacionalist e as pro bazës së pronarëve dhe të përndjekurve. Mustafaj rrezikoi lidhjet me Uashingtonin dhe shkoi në një dyshe me Moisiun për ngritjen e urave me Moskën. Ata ftuan ose deshën të ftonin Putinin, para vizitës historike të Bushit .
Pas vizitës së tij në shtator 2005 në Nju Jork. Berisha morri mesazhin e mos prekjes së SHIK-ut dhe u tërhoq, por kur u kthye emëroi Imamin si shefin e kabinetit të tij, kur disa muaj më parë nuk i kishte dhënë asnjë vend për të garuar si deputet. Ky emërim e kënaqi Uashingtonin, duke e marrë si provë se Berisha nuk do hakmerrej ndaj atyre që e rrëzuan më 1997. Me Imamin Berisha morri shumë mbi vete si rrezikun e zemërimit të demokratëve dhe kjo u pasqyrua në humbjet e mëdha në qytete kryesorë në zgjedhjet lokale. Imami, u tregua, serioz, rigoroz duke pranuar me realizëm teorinë e bosit. Duke ndjerë se Berisha po i jepte shumë pushtet, ai kërkoi të garonte për postin e Bodes në parti por u sabotua nga Mustafaj, Topalli dhe dhe media e kontrolluar prej tyre, që kishte kohë që i bënte karshillëk Berishës. Topalli dhe Mustafaj kishin qenë sponsorët e drejtorit të Përgjithshëm në RTSH, Beci, përmes klanit të klaneve.
Gërdeci ishte një orvatje e qarqeve anti-amerikane dhe anti-shqiptare, me dy synime: T'a armiqësonte Berishën me Uashingtonin dhe të inspirontë Moskën , Athinën dhe Beogradin të jepte goditjen përfundimtare ndaj Berishës. Berisha, edhe pse u hutua fillimisht, tregoi mos lëkundje në largimin e Mediut pas dorëheqjes, por zgjodhi pozicionin të tregonte forcë duke reaguar me qëndresë. Lobi i Moskës, nuk u ndal. Pas dukurisë Fazlliç, nxorën "korrupsionin" e rrugës drejt Kosovës. U përbalt Basha, duke dashur të ndotnin Berishën. Berisha kishte bërë një dhuratë për Rixhin duke dashur të dëgjonte refrenin e Uashingtonit, edhe pse e dinte se do kishte kosto për vete. Në rrethin e sabotimit duhet të ketë qenë Pollo, Bode, Topalli dhe fshehurazi, mbase edhe Ruli, nëse ka pasur ndonjë urdhër për të goditur figurën e Berishës. Por Ruli e njeh mirë teorinë e bindjes ndaj bosit, qoftë ky edhe ish-armiku Berisha. Berisha përsëri nuk u tërhoq. Me një mjeshtri prej Nanoje, kaloi disa kriza duke ndërruar kushtetutën pasi ishte sjellë si xhongler me emërimin e Topit si president. Duke e ditur se Uashingtoni e mbështeste Topin, ai e çoi votimin në atë rrugë që Topi të ishte fitues, duke përdorur si Nanon edhe Cekën. Përsëri duke kënaqur Uashingtonin e duke mërzitur Moskën, Athinën dhe Beogradin. Pra, Berisha nuk ka faj! Po e hoqi lobi i Hillari Klintonit, nuk është mëkati i Berishës, por inati i moçëm, dhe mosaftësia e tij për tu rehabilituar në Uashington.
Berisha pret një Po nga Uashingtoni; në të kundërt , braktisja ndaj tij nga votuesit e djathtë do jetë gjigande. A ka kohë? Shumë. Duhet të largojë spiunët dhe servilët nga qeveria dhe parlamenti. Duhet të lejoje drejtësinë të gjykojë qoftë edhe Bashën apo cilindo të akuzuar dhe duhet të largohet nga ajo media anti-demokrate. Pd e meriton një mandat të dytë. Por nuk e di a don Berisha të fitojë dhe a është dakord Rama të humbasë?! Zgjedhjet do jenë ndikuese. Shqiptarët tashmë i njohin mirë si demagogët dhe enveristët si të korruptuarit dhe të pangopurit. Presim. Nuk e dimë se si do pozicionohet Uashingtoni, sepse duam apo jo, te ne nuk ka zgjedhje por zgjidhje dhe zgjidhja nis e mbaron në Uashington. Unë ,mbase e di përgjigjen, por nuk dua ta ndaj me ju, sepse nuk dua të zhgënjehet askush, ndaj le të hedhim votën edhe pse nuk na e numëron kush ashtu si e dëshirojmë. Mos u habisni, është akoma herët. Një popull që nuk reagon, nuk proteston e nuk ngrihet në përmbysje revolucionare, duhet të pranojë edhe diktatorë edhe kllounë edhe të babëzitur... Nejse, nëse Uashingtoni thotë, Po, as Berisha nuk do iu thotë Jo!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›