E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Do ankimojmë në gjykatë ligjin e dosjeve

>LSI: Qeveria Berisha ka nisur betejën për të kapur repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese
Deklaratat e fundit të kreut të mazhorancës, Sali Berisha, rreth konfliktit të interesave të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e lustracionit,  kanë ndezur debatin në gjirin e politikës shqiptare. Qëllimin e kreut të mazhorancës për të përjashtuar gjyqtarët e Kushtetueses, duket se një pjesë e mirë e opozitës e ka përkthyer si presion ndaj drejtësisë shqiptare. Ditën e djeshme Lëvizja Socialiste për Integrim dënoi presionin që mazhoranca e djathtë po i bën Gjykatës Kushtetuese përsa i përket ligjit të dosjeve. Nënkryetari i kësaj force politike, Pëllumb Xhufi deklaroi dje në një konferencë për shtyp se, me këto sulme qeveria ka vendosur të kapë edhe repartin e fundit të sistemit të drejtësisë. Sipas  Xhufit, Gjykata Kushtetuese duhet të kalojë provën e zjarrit duke mbrojtur veten, por edhe qytetarët nga kjo qeveri që vendin po e çon drejt diktaturës. Xhufi garantoi se LSI-ja do të bëjë gjithçka që tentativa për të kapur Gjykatën Kushtetuese të dështojë dhe se ajo vetë do të jetë iniciatore e ankimimit në këtë gjykatë të ligjit të dosjeve. Më tej ai tha se, një ditë më parë, zëdhënësi i grupit parlamentar demokratë, Aldo Bumçi solli në vëmendje parimet etike dhe profesionale të miratuara në Strasburg mbi të cilat duhet të punojë edhe gjykata shqiptare. Më tej ai shprehu se, dje dhe sot, zëdhënës të Qeverisë Berisha kanë paralajmëruar fillimin e një sulmi të egër kundër Gjykatës Kushtetuese. Pas destabilizimit të institucionit të Prokurorisë, me Ligjin dhe me presionet politike mbi këtë institucion, qeveria Berisha ka nisur kështu betejën për të kapur ose për të shpartalluar edhe repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese. LSI, -cilësoi Xhufi, denoncon ashpër këtë revansh të qeverisë Berisha kundër institucioneve dhe kundër vetë shtetit të së drejtës, që nisi me ndryshimet kushtetuese dhe që po detajohet tani në goditjet një për një, kundër organeve kushtetuese. LSI denoncon ashpër të gjithë ata që iu bashkuan Qeverisë Berisha në këtë vepër shkatërrimtare, që po e çon përsëri vendin drejt dilemës: demokraci apo diktaturë. Gjithashtu Xhufi u shpreh se, presionet e fundit mbi Gjykatën Kushtetuese e mbi anëtarë të veçantë të saj, synojnë fillimisht që në pritje të shqyrtimit të Ligjit për pastërtinë e figurave, ta paralizojnë këtë gardian të fundit të drejtësisë, për të mundësuar kështu zbatimin e këtij ligji tërësisht antikushtetues. Më tej ai tha se, më kot zëdhënësit mekanikë të mendimeve të Sali  Berishës përpiqen të gjejnë argumente e precedentë nëpër botë, për të goditur Gjykatën Kushtetuese dhe për të justifikuar zbatimin e Ligjit në fjalë. Terri Devis, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të KE, nga ku varet edhe Gjykata e Strasburgut, e tha shkoqur e prerë: Ligji për dosjet është një ligj shumë i keq, një ligj që duhet ribërë nga e para. Ndër të tjera Xhufi nënvizoi se, sot është radha e Gjykatës Kushtetuese të gjendet përballë një prove të rëndë, që për të është prova e zjarrit. Sot është dita kur kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike për të mbrojtur, jo veten e saj, por ligjin, kushtetutën e shtetin e së drejtës, nga sulmet e taborit anti-shtet, që përfaqësohet nga qeveria Berisha, dhe jo vetëm nga ajo, tha ai. Ne kemi besim të patundur, se Gjykata Kushtetuese, që shpesh herë është vënë para provave të ngjashme, do të sillet edhe kësaj radhe me dinjitetin dhe me përgjegjësinë sublime në mbrojtje të ligjit e të institucioneve. Më tej ai shprehu se, nga ana e saj, në vazhdim të luftës së saj për mbrojtje të ligjshmërisë e të institucioneve, LSI do të ndërmarrë të gjitha iniciativat politike për të bërë të dështojë edhe kjo tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, nënvizoi Xhufi.  

Lideri i LSI, Ilir Meta niset në Uashington
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Zoti Ilir Meta është nisur dje drejt Uashingtonit, ku është ftuar të jetë i pranishëm në ceremoninë e Betimit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zotit Barack Obama. Kryetari i LSI, z. Ilir Meta do të marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila zhvillohet në datën 20 Janar në Uashington, ku të ftuar do të jenë edhe shumë personalitete, politikanë, kryetarë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të ndryshëm të rëndësishëm, nga e gjithë bota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›