Berat, kthehej nga shkolla, aksidentohet rëndë 7 vjeçari
Një fëmijë 7- vjeçar, banor i fshatit Otllak është aksidentuar dhe rrezikon jetën, ndërsa u përplas nga një mjet në rrugë. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Berat-Urë Vajgurore, në afërsi të fshatit Otllak rreth orës 12:30 të ditës së djeshme. Fëmija Kristi Zena mësohet se sapo ishte kthyer nga shkolla dhe po kalonte nga një anë rruge në tjetrën për të shkuar në banesën e tij.
Ai u përplas nga një mjet tip Ford me targa të huaja, që udhëtonte në drejtim të qytetit të Beratit. Fëmija i aksidentuar është dërguar me urgjencë nga vetë drejtuesi i mjetit në spitalin e qytetit. Burime pranë repartit të kirurgjisë bëjnë me dije se vogëlushi u paraqit me plagë të shumta e fraktura në trup. Pas dhënies së ndihmës së parë shëndetësore, mjekët vendosën dërgimin e tij drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Drejt vendit të ngjarjes mbërritën më pas ekspertët e qarkullimit rrugor që bllokuan mjetin tip ford me targa të huaja, që drejtohej nga Bilbil Kanaçi. Ky i fundit është shoqëruar në polici, ndërkohë që po punohet për të mësuar shkaqet e këtij aksidenti.