E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 2 aksidente brenda ditës shkaktojnë 1 viktimë dhe 3 të plagosur

Dy aksidente me pasoja një të vdekur dhe tre të plagosur, kanë ndodhur në mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Aksidenti i parë është shënuar në aksin rrugor Barbullush-Kukël dhe pikërisht në vendin e quajtur Guradec, ku dy motoçikleta janë përplasur me njëra-tjetrën. Njëra prej motoçikletave, e cila nuk ka pasur as targa, drejtohej nga 20- vjeçari Elvis Nuku dhe është përplasur me një motoçikletë tjetër edhe kjo pa targa, e cila drejtohej nga 76- vjeçari Mark Ndoja, banues në fshatin Gjadër. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka gjetur vdekjen i moshuari dhe është plagosur bashkëshortja e tij Marie Ndoja, rreth 74 vjeçe, e cila ishte në sediljen e pasme të motoçikletës së drejtuar nga Mark Ndoja. Gjithashtu, është plagosur edhe Nuku dhe të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Kurse 76- vjeçari ka humbur jetën dhe mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të moshuarin, i cili po drejtonte motoçikletën së bashku me të shoqen në sediljen pas tij. Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, por policia ka evidentuar si fajtor për këtë përplasje të riun Nuku, i cili sipas tyre po drejtonte mjetin e tij motorik në shkelje të rregullave të qarkullimit, me pasojë vdekjen e të moshuarit. Ndërsa aksidenti i dytë ka ndodhur në lagjen Liria të Shkodrës, ku një automjet tip Mercedes me targa të Shkodrës, i drejtuar nga 42- vjeçari Zef Prela, ka përplasur të moshuarin Shevqet Bajraktari, që ka qenë duke lëvizur me një biçikletë. Drejtuesi i biçikletës është dëmtuar, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka deklaruar se ai ka prerë menjëherë rrugën, kurse Prela ka bërë një manovrim të gabuar, pasi ishte në gjendje të dehur .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›