E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, xhamia e Roshnikut drejt rrënimit

01/04/2010 Kërkohen fonde për restaurim

BERAT- Një nga objektet e rralla për nga vlera, xhamia e Roshnikut po shkon nga dita në ditë drejt rrënimit, ndërkohë që komuna kërkon fonde për të shpëtuar këtë vepër të rëndësishme. Xhamia e ndërtuar në vitin 1672 me porosi të veçantë nga Mehmet Qypërli nga Turqia dhe fonde të akorduara prej tij duket se po kalon ditët e fundit të saj. Objekti i veçantë për nga vlerat sot është shndërruar në një qendër për hedhjen e mbeturinave, ndërkohë që tavani rrezikon të shembet, muret janë amortizuar krejtësisht. Për të inspektuar gjendjen e këtij monumenti kulture ka mbërritur dje në fshatin Roshnik, inspektori i Monumenteve të Kulturës Tiranë Genc Samimi. Ai është shprehur se xhamia e Roshnikut gëzon statusin e monumentit të kulturës dhe si e tillë është në mbrojtje te Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por, dhe pse gëzon këtë status mungesa e investimeve e ka lënë këtë objekt në mëshirë të fatit. Rreth vlerave historike të kësaj xhamie është shprehur dhe kryetari i komunës Adriatik Seriani, i cili thotë se komuna i është drejtuar disa herë ministrisë përkatëse, Institutit të Monumenteve të Kulturës për të përfshirë xhaminë në objektet që përfitojnë fonde për restaurime, por deri më sot nuk ka përfituar asnjë investim. Komuna sipas kreut të saj nuk ka fonde për të mundësuar restaurimin dhe në këtë mënyrë është në pritje të fondeve nga instituti. Xhamia është një nga objektet e shpallur monument kulture dhe ndodhet në fshatin Roshnik të rrethit të Beratit, fshat i cili ka dalë pesë kryeministra (Vezirë) që kanë drejtuar Turqinë gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›