E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Censusi faktoi se jemi vend i zhvilluar. Kemi ndërtuar më shumë shtëpi se shumë vende të BE

Share

Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë, është shprehur se tashmë Shqipëria nuk është më një vend në zhvillim, por një vend i zhvilluar. Sipas Berishës, kjo gjë u faktua nga të dhënat e censusit. Berisha pohoi se Shqipëria ka lënë prapa disa vende të BE-së për nga standartet ekonomike.

Shqiptarët me djersën që kanë derdhur, e kanë vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara. Censusi i fundit fakton se në Shqipëri sot janë 380 banesa për 1000 banorë. Krahasuar me censuset e Bashkimit Europian: Në Sllovaki janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni 335 për 1000, në Maltë 349 për 1000 banorë. Pastaj ka vende si Franca me 509 banesa për 1000 banorë, Danimarka me 500 banesa etj. Kjo përbën një nga sukseset më të mëdha të këtij kombi. Ky tregues në vitin 2001 ka qenë 225 banesa për 1000 banorë.

Shqiptarët kanë ndërtuar në 10 vite më shumë se 25 kombe të tjera në 30 vitet e fundit të marra secila më vete. Asnjë komb nuk ka ndërtuar me ritme të tilla si Shqipëria.

Flitet për 1 milionë të varfër në Shqipëri, por e vërteta sot është se sot janë pronarë shtëpish më shumë se 700 mijë familje. Sigurisht që ka familje në vështirësi, por standartet janë të një vendi të zhvilluara. Janë standarte më të larta se të disa vendeve të BE-së.

Shqiptarët kanë treguar se çfarë force kanë, çfarë gjenitaliteti krijues kanë. Ky fakt i evidentuar nga censusi është lajmi më i mirë që mund të merrnin shqiptarët për festat e fundvitit.

Fakt pozitiv është që në Shqipëri është rritur klasa e mesme, gjë që tregon zhvillimin e vendit dhe demokracisë në vend. Ndaj them se censusi ishte i domosdoshëm dhe jetik për të na dhënë pasqyrën e Shqipërisë.

Unë jam kryeministër, por këto gjëra i mësova nga censusi. Këto të dhëna na imponojnë ne që të mendojmë ndryshe për Shqipërinë, pasi tashmë jemi një vend i zhvilluar. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë avancon në shpejt se teknologjia.

Ne nuk duhet të integrohemi më BE si varfanjakë, ne duhet të pasurohemi dhe të kemi të ardhura. Gjatë këtij viti kam thënë se të ardhurat vjetore të shqiptarëve janë më të mëdha se 2-3 vende të BE-së, por rritja e numrit të banesave tregon zhvillimin e madh ekonomik të vendit, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›