E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Diamanti i vërtetë i superfuqisë energjetike rajonale

04/06/2009  Përfundon ndërtimi i petroliferës pranë qytetit të Vlorës

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në ceremoninë e inaugurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve, ndërtuar në Vlorë, se vendi do të shndërrohet në superfuqinë energjetike rajonale. Kreu i qeverisë është shprehur se petrolifera përbën “diamantin e vërtetë” të kësaj superfuqie. Berisha ka thënë se investimi është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për Vlorën, qytet me pozicionin gjeografik ndër më të rëndësishmit në të gjithë rajonin. Sipas tij, në rast se Shqipëria ka një pozicion shumë të lakmueshëm si port i Evropës drejt Ballkanit dhe anasjelltas, Vlora është krahu më perëndimor i kësaj porte. “Vlora pa portin e saj energjetik është vetëm një qytet i kohërave të shkuara, ndërsa Vlora me portin e saj energjetik përmbush të gjitha detyrimet e mëdha që ka jo vetëm ndaj qarkut të saj apo Jugut të Shqipërisë, por edhe ndaj gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit. Sot qyteti bëhet me terminalin më të ri dhe më modern të Mesdheut, me një port të standardeve më të lata. Në strategjinë e qeverisë sime për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale ky është një diamant i vërtetë”, - deklaroi shefi i ekzekutivit. Berisha ka pranuar se kompania që punoi për ndërtimin e petroliferës ka nisur projektin me qeverinë socialiste. Duke iu drejtuar drejtuesit të kompanisë, Berisha tha se, në qoftë se në një hark kohor prej tetë vjetësh u punua me tri qeveri socialiste, ky nuk ishte faji i mazhorancës së djathtë, por kjo vjen sepse socialistët në traditën e tyre të përjetshme kudo që ndodhen, në emër të popullit, më shumë se për çdo për çdo gjë tjetër kujdesen për karrigen e tyre. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha tha se në vizitën zhvilluar katër vjet më parë në Itali në një takim me investitorët italianë premtoi se do të bënte çdo gjë që të rikthejë besimin e tyre te Shqipëria. “Sot është një realitet, të cilin unë në parashikimin tim më optimist nuk guxoja ta deklaroja katër vjet më parë. Vetëm gjashtë muajt e fundit ne kemi nënshkruar me kompanitë më të mëdha italiane investime që i kalojnë 3.6 miliardë euro, si dhe janë në përgatitje e sipër kontrata me disa miliardë euro të tjera”, - tha Berisha. Sipas tij, tashmë Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe ata botërorë. Ai theksoi se qeveria e tij ka shënuar rezultate të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit dhe Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe vendi me koston e prodhimit më të ulët në Evropë.

Zëvendësministri italian

Zëvendësministri italian për Zhvillim Ekonomik Adolfo Urso ka vlerësuar gjatë ceremonisë së djeshme reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe kontributin personal të Kryeministrit Berisha në këto reforma. “Shqipëria është duke ndryshuar. Ajo do të ndryshojë edhe më shumë, do të ndryshojë me punën e shqiptarëve dhe me ndihmën e investitorëve të huaj”, - deklaroi Urso. Duke iu referuar inaugurimit të sotëm të terminalit të depozitimit të karburanteve, zëvendësministri italian u shpreh se kjo vepër bën që qyteti i Vlorës, i cili vite më parë identifikohej si qyteti i trafiqeve, sot të jetë qyteti i ndryshimeve të mëdha, që u ofron investitorëve të huaj mundësi të mëdha dhe siguri për investimet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›