Berisha: Ishte prekëse kur Italia, edhe pse në krizë, deklaroi se do na japë ndihmë 52 milion euro
Berisha: Nuk e takova dot Berluskonin se ishte tek Vladimir Putini, por i dërgova ftesën për të vizituar Shqipërinë
Kryeministri Sali Berisha foli gjatë në mbledhjen e qeverisë për vizitën e tij në Itali. Aq gjatë foli sa Genc Pollo u përgjum dhe Ridvan Bode fërkonte sytë.
Berisha tha se kishte ftuar për vizitë në Shqipëri presidentin dhe kryeministrin italian. Berisha foli me superlativa për presidentin italian, të cilin tha se përveç tij, për vizitë në Shqipëri e ka ftuar edhe presidenti Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli.
Berisha tha se moment prekës ishte kur Italia deklaroi se do ndihmojë Shqipërinë. Ishte prekëse kur Monti më tha që do na ndihmojë me 52 milion euro, edhe pse vendi i tyre është në krizë, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se shqiptarët janë integruar shumë mirë në Itali. Ai tha se shqiptarët janë studentët e parë për nga numri i studentëve të huaj në Itali. Janë 26 mijë studentë shqiptarë në Itali, nga më të shkëlqyerit, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi po ashtu se në Itali janë edhe 26 mijë biznesmenë shqiptarë.
Perspektiva evropiane e Shqipërisë është perspektiva më e shkëlqyer, por sigurisht Shqipëria duhet të realizojë reformat. Shqipëria është ndër të paktët vende që nuk pësoi recesion dhe ruajti rritjen ekonomike, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se nuk arriti të takojë dot Silvio Berluskonin. Nuk arrita të takoj mikun e shquar të shqiptarëve, Silvio Berluskoni sepse ishte në inaugurimin e Vladimir Putin, por i përcolla urimet më të mira dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, tha Berisha.