E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Tahirit, hakmarrje dhe femra

Hakmarrja sipas burimeve të policisë lidhet me vrasjen e vëllait të Avdillarit në Greqi disa vite më parë

Hetuesit po verifikojnë edhe pistën e vrasjes për motive femrash që po verifikohet paralelisht me atë të drogës dhe pistat e tjera


Tri ditë pas vrasjes së Ardian Tahirit, në rrugën "Irfan Tomini", krim për të cilin dyshohet Fatmir Avdillari, policia ka rënë në gjurmë të një konflikti femrash, përveç konfliktit tjetër që dyshohet nga policia për larje hesapesh që lidhen me shitjen dhe shpërndarjen e heroinës në kryeqytet.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të policisë së Tiranës të cilët kanë pohuar se pas hetimit të deritanishëm ata kanë ngritur pistën e krimit që lidhet me motivet e vrajses për femra. Ndërkaq hetuesit nuk kanë pranuar të flasin më tepër, por sipas tyre kjo mbetet një nga pistat kryesore.

Në të njëjtën ngjarje mbeti i plagosur edhe Roland Caka, një person tjetër mik me të ekzekutuarin. Burime nga policia thanë se viktima Tahiri njihej si një shpërndarës i dyshuar droge, e po ashtu edhe vetë ishte konsumator i saj.

Pista e parë e Policisë ishte ajo e një konflikti për prishje të pazareve të drogës. Ndërsa pista tjetër e policisë lidhet me një hakmarrje të vjetër, pasi vite më parë Avdillarit, i është vrarë një nga vëllezërit e tij në Greqi në rrethana të panjohura. Për këtë shkak, dyshohet se mund të jetë kryer edhe krimi i të shtunës, motivet e të cilit duket se po mundojnë jo pak policinë e Tiranës.


Dëshmitari


I plagosuri i së shtunës në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë, në të njëjtën ngjarje ku mbeti i vrarë miku i tij, ka ndihmuar policinë në një pjesë të mirë të detajeve, me interes për hetuesit.

Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, ka rindërtuar nëpërmjet thënieve të tij, ngjarjen e së shtunës ku ai u plagos ndërsa miku i tij mbeti i vdekur. Oficerët e policisë kanë regjistruar në spital, dëshminë e të plagosurit, i cili ka dhënë detaje të hollësishsme hetuesve mbi mënyrën e krimit, armën, përshkrimin fizik të autorit e deri tek veshja që mbante e të dhëna të tjera.

Krimi ndodhi kur të dy ata po qëndronin pranë një lokali në stacionin e fundit të "Tiranës së Re" në kryeqytet. I dyshuari kryesor ishte Fatmir Avdillari i sapo liruar nga burgu i cili kishte mundur të largohej me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. 26-vjeçari Roland Caka u prek vetëm nga një plumb i cili nuk i rrezikoi jetën.

Ndërkohë që para oficerëve të policisë kriminale Caka ka dëshmuar momentin e krimit. "Isha bashkë me Ardian Tahirin duke pire kafe në një lokal pranë rrugës "Irfan Tomini" në Tiranë, kur në tavolinë afrohet një person.

Ai mbante një maskë në kokë me të cilën kishte mbuluar fytyrën, ndërsa kishte edhe pistoletë. Nuk ka thënë asnjë fjalë por ka qëlluar menjëherë në drejtim të Tahirit dhe një plumb më preku edhe mua. Më pas autori u largua me shpejtësi nga lokali por unë nuk mbaj më mend se çfarë ndodhi më pas",- mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë i plagosuri.

Dëshmia e të dëmtuarit është administruar nga hetuesit në dosjen hetimore të krijuar për këtë rast, ndërsa veç dëshmisë së tij, policia ka regjistruar edhe dëshmi të tjera që sipas tyre janë në interes të hetimit dhe zbardhjes së motiveve të këtij krimi.


Autori i dënuar për krime të rënda


Në janar të këtij viti Fatmir Avdillari, 36-vjeç, i cili dyshohet si autori i atentatit të së shtunës mbrëma, është liruar nga burgu. Ai vuajti dënimin për rreth 10 vjet për veprën penale të "vrasjes" ndërsa ka qenë i proceduar nga policia edhe për shumë vepra të tjera, si plagosje, armëmbajtje pa leje, shkatërrim të pronës, etj.

Ndërkohë që policia dyshon se edhe pasi është liruar nga burgu Avdillari ka vazhduar të kryejë veprimtari kriminale. Emri i tij tashmë figuron në listën e personave të shumëkërkuar pasi është i dyshuari kryesor i vrasjes së fierakut Ardian Tahiri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›