E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Karamanlis, takim kokë më kokë

27/04/2009  Kryeministri grek Kostas Karamanlis viziton zyrtarisht Tiranën

Në axhendë parashikohen takime me krerët më të lartë të shtetit

Kreu i qeverisë greke Kostas Karamanlis mbërrin paraditen e sotme në Tiranë për një vizitë zyrtare, me ftesë të homologut të tij, Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë kësaj vizite shefi i ekzekutivit grek do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Sipas axhendës së vizitës zyrtare, Berisha do ta presë homologun e tij helen me një ceremoni të veçantë në oborrin e selisë së qeverisë shqiptare. Pas kësaj ceremonie dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim kokë më kokë me dyer të mbyllura. Menjëherë pas këtij takimi ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me interesa reciprok. Pas kësaj kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila parashikohet të zgjasë rreth 20 minuta. Pas kësaj kreu i qeverisë shqiptare do të shtrojë një drektë për nder të mikut nga Athina. Më pas, duke iu referuar axhendës së vizitës zyrtare, shefi i ekzekutivit grek do të pritet në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Pas këtij takimi Karamanlis do të vizitojë Bashkinë e Tiranës, ku do të ketë një takim me kryetarin e saj Edi Rama. Kreu i qeverisë së Athinës do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, ku do të takohet me Kryetaren Jozefina Topalli dhe ku do të mbajë një fjalim përshëndetës përpara ligjvënësve shqiptarë. Dita e vizitës së kryeministrit grek përfundon me një takim të posaçëm që Karamanlis do të ketë me Fortlumturinë e Tij Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, në selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Por vizita zyrtare e kryeministrit grek është paraprirë ditën e djeshme nga një protestë e komunitetit çam në vendin tonë. Ata kërkonin njohjen nga shteti helen i të drejtave dhe pronave të tyre atje. Në një intervistë televizive kryetari i PDI-së Tahir Muhedini ka deklaruar se politika e Shqipërisë dhe Greqisë duhet të sensibilizohet dhe të bisedojnë mbi çështjen çame. Muhedini ka thënë se deklarata e ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis dhënë në vizitën e fundit të saj në Tiranë se gjykatat do të merren me çështjen çame është pozitive, pasi kështu pohohet ekzistenca e një problemi të popullsisë çame. Muhedini tha se pret që kryeministri grek Karamanlis të lëshojë një mesazh pozitiv gjatë vizitë së tij ditën e sotme në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›