E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Pragë pas konsultave me BE-në

27/04/2009  Kryeministri Berisha paraqet kërkesën për statusin e vendit kandidat

“Falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në Parlament. Nuk është fushatë”

Qeveria shqiptare do të prezantojë nesër kërkesën zyrtare për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kryeministri Sali Berisha në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave ka bërë me dije vendimin e marrë. Ai ka deklaruar se reformat e realizuara me sukses bënë të mundur që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të shpallin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare si frymëzuese për vendet e tjera të rajonit. Ai nënvizoi faktin se vendimi për t’i paraqitur Republikës së Çekisë, e cila mban dhe presidencën e radhës së BE-së, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, është një vendim gjerësisht i konsultuar, sikundër ishte deklaruar edhe më parë. “Ky vendim nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin që ka kryesinë e radhës së BE-së, vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të BE-së, të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Europian”, - ka deklaruar Berisha. Sipas tij, gjatë muajve të fundit janë zhvilluar negociata intensive me kancelaritë e vendeve anëtare të BE-së, ku është paraqitur pikëpamja e qeverisë shqiptare dhe ka gjetur mbështetje të plotë fakti se për vendin tonë procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet mbi të gjitha mbi reformat, efiçencën e tyre, fuksionalitetin e qeverisjes dhe funksionimin e demokracisë.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij ka falënderuar të gjithë administratën publike për angazhimin e saj në përmbushjen e detyrimeve dhe reformave, të cilat bënë të mundur marrjen e vendimit dhe pranimin e tij nga strukturat e BE-së. Por Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa falënderuar edhe opozitën për kontributin e saj dhënë në mbështetje të këtij zhvillimi të rëndësishëm. Ai ka deklaruar se hedhja e këtij hapi në funksion të integrimit nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet parlamentar dhe nuk bëhet për fushatë. “Dua të falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në Parlament dhe dua ta siguroj atë se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim të rezolutës që kemi votuar bashkërisht në Parlament dhe se ky akt është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt është themelor në programin politik të të gjitha forcave politike serioze të vendit”, - ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha.

Letra drejtuar kryeministrit të Çekisë

Kryeministri Berisha ka firmosur letrën që ai i drejton presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, kryeministrit çek Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. “Shkëlqesia Juaj, zoti President! Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”, - thuhet në letrën që kreu i qeverisë shqiptare i drejtoi Kryeministrit të Republikës së Çekisë, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Anëtarësimi në NATO

Në samitin e fillimprillit në Strasburg e Kehl Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Aspirata për anëtarësim në NATO lindi që në fillimet e pluralizmit politik në vendit tonë. Por nisja e hapave konkretë drejt anëtarësimit lidhet me majin e vitit 2003, kur në Tiranë sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell nënshkroi së bashku me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë Kartën e Partneritetit, e cilësuar si një hart rruge për integrimin euroatlantik të tre vendeve, duke institucionalizuar iniciativën e përbashkët të presidentëve të këtyre vendeve, ndërmarrë në samitin e NATO-s në Pragë (nëntor 2002), me synim realizimin e vizionit të përbashkët për një Evropë të lirë, të plotë dhe të sigurt. Pas këtij hapi vendi ynë ndërmori një sërë reformash të rëndësishme si dhe morri pjesë në shumë misione paqeruajtëse në funksion të Kartës së Partneritetit dhe për të treguan aftësitë ushtarake për anëtarësim. Gjithë kjo periudhë u përmbyll pikërisht në samitin e 3-4 prillit, ku u finalizua anëtarësimi në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›