E Shtunë, 31 Tetor 2026

Internet në çdo shtëpi

Shijak -Kryeministri Sali Berisha është ndalur sot në Shijak në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” , ku ka theksuar se deri në mesin muajit qershor të këtij viti, të gjitha shkollat në vend do të jenë të pajisura me internet. Ndërkohë, Berisha premtoi se "gjatë mandatit të ardhshëm qeveria shqiptare synon dhe do të bëjë realitet instalimin e internetit në të gjitha familjet ku ka nxënës dhe fëmijë".

I shoqëruar nga deputetët e zonës dhe drejtues të prefekturës dhe këshillit të qarkut, z. Berisha mori pjesë fillimisht në përurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës 9 vjeçare “Muharrem Dollaku”, tashmë një godinë tre katëshe, nga dy që kishte më parë, falë një investimi prej 14 milionë lekësh të qeverisë. Në mënyrë simbolike, shiriti i përurimit u pre nga një nxënëse e kësaj shkolle dhe deputetit i Shijakut, Osman Metalla.

Kryeministri Berisha vizitoi disa nga klasat e kësaj shkolle me 540 nxënës, ku dhe bisedoi me nxënës dhe mësues. Në laboratorin e informatikës ai u njoh me punët e nxënësve ku dhe premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm, qeveria do të mundësojë internetin në të gjitha familjet ku ka nxënës dhe fëmijë. Kreu i qeverisë u njoh me punimet e përgatitura nga nxënësit në rrugë kompjuterike si dhe mori pjesë në një orë mësimi mbi dëmet që shkakton pirja e duhanit.

Në takimin që pati më pas me banorët e kësaj zone, z. Berisha ritheksoi se fëmijët dhe e ardhmja e tyre janë dhe do të jenë në epiqendër të punës së qeverisë shqiptare. “Nga Vermoshi në Konispol të gjitha shkollat do të jenë të pajisura me kompjuterë”, tha Kryeministri, i cili nënvizoi se gjatë 4 viteve të mandatit të parë janë ndërtuar dhe rindërtuar 1012 shkolla në të gjithë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›