Berisha: Me Ramën nuk bëj takim sa për të pirë kafe

Tiranë, 3 Shkurt NOA - Kryeministri Sali
Berisha shprehu sot edhe një herë gatishmërinë që të takohet me kreun socialist
Edi Rama nën ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, por paralajmëroi se një
tryezë sa për të pirë kafe, nuk do të ishte e dobishme nëse nuk qartësohet se
do të ketë apo jo rezultate, biseda mes palëve.
Berisha kujtoi këtu se ne e kemi bërë shumë
të qartë pozicionin tonë, se ne mirëpresim kontributin e cilitdo personalitet,
natyrisht Presidentit të Republikës dhe cilitdo tjetër, që e ndjejnë se mund të
ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi, duke theksuar se kjo deklaratë është
bërë nga ai, tri ditë më parë, si dhe dje nga kryetari i grupit parlamentar.
Kurse sqaroi: I vetmi problem që ne kemi dhe
asgjë tjetër, është se ne mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos
dështimin është i vlefshëm; një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por
nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një
takim që jep rezultate.
I pyetur nëse ky takim është duke u përgatitur
ndërkohë, kryeministri Berisha u përgjigj:
Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon
qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për
kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam
absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i
shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht,
megjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme.
Kurse i pyetur nëse takimi me ambasadorët
Lohan dhe Montobio, kishte si temë diskutimi edhe takimin e mundshëm të
kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Rama, si dhe për komisionin hetimor
për zgjedhjet, kryeministri Berisha u përgjigj:
Ka patur tërësisht një subjekt krejtësisht
tjetër dhe nuk ka patur asnjë lidhje me temën, për të cilin ju bëni fjalë.
Përsa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë ju, se ne që nesër do
ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e
paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po
presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë. Ka një
rezolutë, kërkesat e të cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj
hezitimi.
Në këtë pikë Berisha lëshoi dhe një tjetër ftesë
për kryetarin e opozitës: Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtojë
rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi dhe të zbatojmë.
Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar,
është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi
të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama.
I pyetur nëse ka ndonjë vështirësi për tu
ulur në tryezën e presidentit Topi, duke e paragjykuar atë si ish-vartësin e
tij, kryeministri Berisha u përgjigj:
Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për tu
ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për tu ulur me asnjeri.
Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë.
Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president,
nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës.
Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë,
por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez,
por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime
ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama
është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në
interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon rezolutën, kushdo që lexon
shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel,
shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar.
Kurse i pyetur nëse do të shkonte në një
tryezë me zotin Rama, pas një ftese publike të zotit Topi, kryeministri Berisha,
u përgjigj:
Që sot. Do i le të gjitha. Unë kategorikisht
nuk refuzoj. E vetmja gjë që e them edhe një herë e dobishme, është që të
firmosim një sukses, besoj se kjo është normale apo jo.
Në fund, i pyetur nëse ka negociata ndërkohë
ose kanale komunikimi mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama,
kryeministri Berisha u përgjigj:
Unë nuk do të ndërpres kurrë komunikimin me
kundërshtarët e mi, është një normë konstante e imja. Kundërshtari është
kundërshtar, komunikimi është komunikim. Nuk ia lejoj vetes unë që të ndërpres
komunikimin.
Pohimet e Berishës, u bënë ndërsa mori në
ceremoninë e hapjes së zyrës, së fondacionit gjerman Konrad Adenauer, në
Shqipëri, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert
Lammert i cili kritikoi bojkotin e socialistëve.
e.r/NOA