E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ngjitja në murin kinez, si ngritja ime elektorale

Berisha është kryeministri i parë që ka ngjitur më shumë shkallë në murin kinez se cdo kryeministër tjetër në botë. Berisha: “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson”. 

TIRANE- Në kuadër të qëndrimit të tij në Kinë kryeministri shqiptar Sali Berisha vizitoi sot murin e madh kinez në Badaling, pjesa me strategjike e murit mijëravjeçar, të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme.

Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë, bëri të ditur se Kryeministri Berisha, ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti, ku i'u akordua nga autoritetet lokale, një çertifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit.

Duke i'u përgjigjur interesimit të medias, Kryeministri Berisha u shpreh se "lodhja nuk ndihet kur ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit".

"Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin. I'u përgjigja se kjo ngjitje është sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare", u shpreh Kryeministri Berisha.

Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe "çelësi i portës veriore të Pekinit", është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987.

Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›