Berisha: Projekti i ullirit, 20 milionë rrënjë në 4 vjet
Pesëfishimi i fondit për ullirin është një nga zotimet më ambicioze të qeverisë në katër vitet që vijnë. Kështu ka deklaruar dje Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i pranishëm në Konferencën Kombëtare “Ullishtaria shqiptare në rrugën e zhvillimit intensiv”. “Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjerave gjatë viteve në vazhdim. Kryeministri Berisha mori pjesë dje paradite në Konferencën Kombëtare “Ullishtaria shqiptare në rrugën e zhvillimit intensiv”. Punimet e kësaj konference kishin si qëllim ecurinë e deritanishme të projektit madhor të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë, si dhe paraqitjen e
objektivave strategjikë të zhvillimit të këtij sektori për periudhën 2009-2013. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli, përfaqësues të Parlamentit, drejtues të Instituteve të Ullirit, përfaqësues të projekteve të ullirit, specialistë të kësaj fushe nga i gjithë vendi etj. Kryeministri theksoi se projekti për ullirin, i shpallur nga qeveria si projekt kryesor për katër vitet që vijnë për bujqësinë shqiptare, është një projekt kompleks, ambicioz, i cili synon një përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtes ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se qeveria do të shtojë në buxhet fondet për investimet në këtë sektor. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe grupi i punës i ngritur për projektin ambicioz të ullirit, të cilët kanë bërë një studim serioz të tokës, parcelave të mundshme për mbjelljen e ullinjve dhe gjendjes ekzistuese të tyre, si dhe të gjitha politikat që duhen ndjekur në këtë drejtim. Aktualisht Shqipëria ka 5 milionë rrënjë ullinj dhe me projektin e iniciuar nga qeveria shqiptare, ai synon që brenda 4 viteve të shkojë në 20 milionë rrënjë. Kreu i qeverisë tha dje se në ullishtat ekzistuese parashikohet një ndërhyrje në 17 mijë hektarë, ndërkohë që grupi i punës ka përcaktuar ngastrat, tokat se ku do të mbillen ullinjtë, ka përcaktuar një sipërfaqe prej 60 mijë hektarësh, të cilat do të përdoren për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj gjatë këtyre 4 viteve, ka përcaktuar koston jo vetëm të këtyre proceseve, por edhe të infrastrukturës së domosdoshme, sistemit të vaditjes, infrastrukturës rrugore, sistemit të përpunimit të tij. “Mendoj se kjo është një punë serioze, e cila natyrisht do të shkojë drejt shqyrtimit dhe rishqyrtimit të saj. Po kështu qeveria po financon impiantet e përgatitjes së fidanëve të ullirit, por duke theksuar këtë, unë i bëj thirrje sektorit privat, i bëj thirrje 70 kompanive private të cilat prodhojnë sot fidanë ulliri, të 2-3-4-fishojnë prodhimin e tyre. Qeveria mund të ndërhyjë përmes subvencionimit, por besoj jemi dakord se ndihma më e madhe që u jep qeveria këtyre kompanive është garantimi i tregut për to. Ky projekt është kompleks dhe realisht kërkon rreth 650 milionë dollarë, por ky është një investim afatgjatë i mrekullueshëm, është një investim i cili do të punësojë dhjetëra-mijëra shqiptarë, është një investim që do t’i japë tregut të vendit dhe tregut botëror një nga prodhimet më të mrekullueshme të natyrës”, - tha kreu i ekzekutivit.