E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Projekti ynë synon riaftësimin e ullishtave



Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, në fjalën e tij në këtë konferencë duke analizuar ecurinë e sektorit bujqësor në tërësi në këto 4-5 vitet e fundit, tha se vihet re se ndërsa në degë të veçanta si pemëtaria, perimet dhe blegtoria ka pasur ritme zhvillimi përgjithësisht të qëndrueshme, prodhimi i ullirit dhe i vajit të ullirit nuk ka qenë i stabilizuar. Ruli bëri të ditur se prodhimi i ullirit në vitin 2006 ka qenë 40 mijë ton, në vitin 2007 janë prodhuar vetëm 27 mijë ton, ndërsa në 2008 janë prodhuar 56 mijë ton. Sipas ministrit Ruli, kjo vjen si rezultat i periodicitetit në prodhim, gjë që flet për mangësi të theksuara të shërbimeve në ullishtari dhe forma ekstensive kultivimi, duke lënë më shumë se 50% të sipërfaqeve aktuale pa ndërhyrje mes shërbimeve të përvitshme. Ai tha se standardet në prodhimin e vajit krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut janë po ashtu të ulëta dhe se fakti që vetëm 10% e vajit të prodhuar në vend është i cilësisë së lartë tregon se mbetet akoma shumë për të bëre edhe në industrinë përpunuese të ullirit. “Nisma që ne po ndërmarrim në këtë sektor, ka në qendër të saj riaftësimin e ullishtave ekzistuese, shtimin me 4-5 herë të numrit të rrënjëve në të gjithë arealin e kultivimit të ullirit si dhe modernizimin e industrisë përpunuese të vajit”, - tha ministri Ruli. Ministri Ruli tha se objektivi i ministrisë do të jetë që nëpërmjet rritjes së sipërfaqes, futjes së kultivuesve të rinj në prodhimit dhe aplikimit të teknologjive të reja moderne të kultivimit, brenda 4-5 viteve të arrijmë në 20 milionë rrënje ullinj, ndërsa prodhimi i vajit të arrijë në rreth 10 mijë ton në vit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›