E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria, kredi për 6 mijë apartamente

Fushata elektorale zgjidh qesen e qeverisë Berisha
Megjithëse kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga marrja e pushtetit, problemi i ish pronarëve, i të pastrehëve ka qenë një nga problemet më të pazgjidhura të kësaj qeverie. Nga premtimet e bujshme për zgjidhjen e këtij problemi social, qeveria shqiptare për tre vjet e gjysmë nuk lëvizi asnjë mekanizëm për të zgjidhur problemin në fjalë. Tashmë që fushata elektorale dhe zgjedhjet e reja janë në prag qeveria Berisha zgjidhi qesen për 6 mijë apartamente.  Në mbledhjen e djeshme Qeveria vendosi të përballojë interesat e kredive për 6 mijë apartamente, prej të cilave, 3 mijë do të jenë për familjet që banojnë në shtëpi të pronarëve. Sipas regjistrave, ky përbën dhe kontingjentin më të gjerë të të pastrehëve në vend. Duke krijuar mundësinë e sistemimit të tyre në shtëpi, nëpërmjet kredisë pa interes, qeveria zgjidh së pari një problem madhor strehimi në vend dhe krijon të gjithë kushtet ligjore për zbatimin e ligjit dhe rikthimin e banesave tek të zotët e tyre. Ky është një stimul i fuqishëm në tregun e banesave dhe një fuqizim i madh i kolateralit në tërësi në vend. Ndërsa 3 mijë apartamente të tjera do të shkojnë për ndërtimin e 4 mijë apartamente për të pastrehët gjatë këtij mandati. U nxituan dhe mbetën të zhgënjyer ata që e recituan si të pambajtur premtimin tim, sepse 1 mijë apartamente janë ndërtuar dhe 3 mijë të tjera do të kreditohen për familjet e pastreha, u shpreh Kryeministri, duke konsideruar këtë si "një lajm të mirë për disa mijëra familje shqiptare në nevojë për strehim". Më tej, Kryeministri theksoi se qeveria jo vetëm po mban zotimin për 4 mijë apartamente, por edhe një tjetër premtim solemn duke i krijuar kushte pronarëve për rikthimin e banesave tyre. Në këtë mënyrë ne jo vetëm mbajmë premtimin tonë për 4 mijë apartamente, por në të vërtetë e zgjerojmë këtë, sepse po në përputhje me premtimin tonë, do ti krijojmë kushte pronarëve për kthimin e banesave tyre, dhe kjo natyrisht që do të bëhet duke i krijuar kushte strehimi atyre që banojnë në këto banesa. Pra, në këtë mënyrë shndërrohen në realitet brenda 3 muajve dy premtime madhore dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të qeverisë sime. Le të shkojnë dhe të gjejnë banesat sociale të kryetarit me korrespodence të Bashkisë së Tiranës. Nuk ekziston as nam e nishan. Qeveria mban fjalën! Fjala e dhënë është fjalë e mbajtur, u shpreh Kryeministri. Duke folur për marrjen përsipër të interesat e kredisë nga qeveria për 3 mijë familje të pastreha, Kryeministri nënvizoi se këto do tu adresohen para së gjithash, familjeve në nevojë, familjeve me një prind, familjeve me shumë fëmijë, si dhe personaliteteve të artit , kulturës, shkencës. Kjo qeveri, theksoi Kryeministri Berisha, i përgjigjet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga programi i saj elektoral,  sepse një force politike, në rast se i përmbahet moralit të politikës, është e detyruar të mbajë premtimet e saj. Ne iu përgjigjemi detyrimeve që rrjedhin nga programi ynë elektoral dhe këtë nuk e fshehim, sepse një force politike, në rast se i përmbahet moralit të politikës, është e detyruar të mbajë premtimet e saj. Pra, nuk ka diskutim që kjo nismë e qeverisë është direkt e lidhur me premtimet e saj elektorale.Ju mund të thoni se a është kjo e lidhur me paraelektoralitetin, por ju them se nuk ka të bëjë fare me të. Ka pasur një proces të tërë të regjistrimit të familjeve që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve dhe saktësimit të sipërfaqeve, dhe është një proces pune shumë voluminoz, i cili tashmë u kompletua dhe tani është e detyrueshme nga ana jonë që të mbajmë zotimin. Pra, është një premtim elektoral, një zbatim i tij paraelektoral, por është fjalë e mbajtur, u shpreh Kryeministri Berisha.  Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se ky vendim përbën një bonus edhe për ndërtuesit shqiptarë. Ky vendim përbën një bonus edhe për ndërtuesit shqiptarë, të cilët janë shumë aktiv dhe të përqendruar në ndërtime të mëdha, por edhe ky kreditim i qeverisë është një bonus për ndërtuesit, të cilin ata e meritojnë. Po të kemi parasysh, ndërtimi është edhe motori kryesor i zhvillimit të vendit. Mund të them se ndërtuesit janë kontribuues shumë të rëndësishëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto, kontribuues shumë të rëndësishëm në të ardhurat e vendit, pra është një bonus i merituar për ndërtuesit shqiptarë. Kështu që mirësia e kësaj pakete është e shumanshme, u shpreh Kryeministri.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›