E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Rama premtime per monopolizimin e tregut nga biznesmenet e tij

Fushata elektorale e kryeministrit Berisha ndaloi në Përmet dhe Tepelenë. Në prezantimin e kandidatëve për deputetë, ai akuzoi kryesocialistin Edi Rama se po zëvendëson rilindasit e vërtetë, me anëtarët e klanit të tij. 

Edi Rama po luan me rilindasit njësoj si Enver Hoxha
Alternativa e majtë përveç trillimeve e shpifjeve sjell me vete dhe një rrezik për ekonominë e vendit. Nga Përmeti, Kryeministri Berisha parashtroi arsyet se përse nuk duhet të mbështet alternativa e majtë. 
“Përveç sharjeve, trillimeve, dy janë gjërat e rrezikshme, rritja e taksave. Rama shpall se taksën e 1/10, do ta zëvendësojë me taksa të larta, progresive, të cilat ishin në fuqi para 2005, që kanë në fuqi manifestin e Partisë Komuniste e që i futi në Shqipëri Spiro Koleka. Rreziku i dytë është largimi i biznesit, bllokimi i investimeve. Këto vite arritëm të marrim 4 mld dollarë investime, mundësuam hapjen e vendeve të punës, rritjen e biznesit të vogël, të mesëm e të mëdha. Premtimi dytë i shokut të autobuzit mavi është se do heqë TVSH për importin e grurit, vajin, mielli, qumështit, vezëve. Imagjinoni ju fermerët e zonës se si mund të përballet me fermerët e Ukrainës, Argjentinës. Kjo do thotë që fermeri shqiptar të mos mbjellë asnjë kalli, të mos mbillet më grurë, që vezët të mos bëhen më. Pse bëhet kjo? Se monopolet e ushqimeve janë më fitimprurëset, se Doshi do marrë vezët, se Fideli do marrë miellin, Caci do marrë naftën e do thellohen monopolet e partisë e do mjerohen shqiptarët”, vuri në dukje Berisha. 
Por, në këtë sqarim për qytetarët, kreu i qeverisë shtoi dhe një tjetër moment.  “Nga ky shesh i frashëllijve gjenialë, i them E Ramës se vetëshpallja për rilindje, e Tom Doshit, Rucit, Angjelit, nuk ka fyerje më të rëndë për shqiptarët. Ky është një provokacion i pandershëm, i padenjë që prek jo vetëm përmetarët, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, që kanë tek rilindësit, shenjtorët e identitetit të tyre kombëtar. Për disa miq në këtë shesh që u kujtohen vitet ’67, përpjekjet që bëri Enver Hoxha për të dënuar rilindasit, por nuk e bëri se do duhej të kalonte mbi trupat e shqiptarëve. Prandaj hiq dorë”, u shpreh Berisha. 
Përkundrejt kësaj alternative, Kryeministri ftoi përmetarët që të mos gënjehen nga propaganda e socialistëve, por të votojnë alternativën e zhvillimit. “Me PD do e bëjmë Shqipërinë anëtare të BE, me një fitore që qytetarët synojmë t’i punësojmë, të krijojmë vende të reja pune. Synojmë që qytetarët të marrin rroga, pensione më të lartë e jetë më të mirë. Të bashkohemi në një fitore që ka synim që mundi e djersa të paguhet më shumë, të japë më shumë të ardhura, të rrisë më shumë mirëqenien. Pasuritë e Përmetit t’i shndërrojnë në vlera, të fuqizojnë turizmin, fermat, ujërat e Vjosës të shndërrohen në vende pune në HEC-et që do ndërtohen. Kjo është alternativa jonë, e cila synon Përmetin dhe Shqipërinë e zhvilluar, që bazohet në arritjet e pamohueshme. Çdo përmetar të mendojë se çfarë kanë investuar socialistët në 8 vite e çfarë kemi bërë bashkë këto vite. Në këto vite kemi vendosur Shqipërinë në NATO, kemi firmosur MSA, hoqëm vizat, merituam statusin por na e pengoi për 1 vit njeriu që u detyrua t’i votojë. Ndaj të ecim bashkë”, deklaroi Berisha, gjatë këtij takimi. 

Takimi në Tepelenë, Berisha: Rama premtime pa projekte
Më pas, kryeministri iu drejtua Tepelenës, ku deklaroi se premtimet e socialistëve për hapje të vendeve të reja të punës janë qesharake pasi nuk kanë projekte reale.
“Piktori mavi i dështuar, që një jetë të tërë nuk paraqiti një tablo për të qenë, premtoi nga autobusi mavi se 40 mijë vende pune do krijohen nga ndihma ekonomike. Qesharake. Sa vende pune krijove me ndihmën ekonomike kur ishe kryetar bashkie? Asnjë! Shpërndan gënjeshtra nga autobusi mavi me të cilat mendon se do gënjejë shqiptarët”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›