Berisha, Ramës: Gati ta zbatoj deklaratën
Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës i kërkon në mënyrë të qartë opozitës të kthehet në Parlament dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet të reagojë në mënyrën e duhur ndaj kësaj kërkese të qartë. Ky ishte mesazhi që dha Kryeministri Sali Berisha përgjatë një konference për shtyp të mbajtur në mesditë, menjëherë pasi delegacioni bëri të ditur edhe qëndrimin e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend. Sipas Berishës, Rama duhet të nisë pa humbur kohë zbatimin e përpiktë të kërkesave që erdhën nga deklarata e drejtuesve të lartë të KiE-s. Për sa i përket qëndrimit të mazhorancës, në lidhje me këto rekomandime Kryeministri u shpreh se koalicioni qeveritar është dakord pikë për pikë me deklaratën e bërë publike nga delegacioni mesditën e djeshme. “I bëj thirrje që ta mbështesë deklaratën e Komitetit Presidencial dhe të fillojë menjëherë, bashkërisht, jetësimin e saj në të gjitha pikat, të cilat janë me të vërtetë, do të thosha parime shumë solide për tërësinë e problemit. Shpresoj edhe një herë, që edhe zoti Rama në këtë frymë t’i përgjigjet”, theksoi Berisha, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur me këtë rast. Sipas tij, një tjetër garanci e madhe për kryetarin e opozitës, Edi Rama në këtë rast, ishte edhe vullneti i mazhorancës për të plotësuar kërkesat ligjore të opozitës. “Unë e garantoj se që në mbledhjen e parë të Kuvendit, ne jemi të gatshëm, që në prani të deputetëve socialistë, së bashku me ta, të ndërtojmë komisionin, jemi të gatshëm t’u japim shumicën dhe kryesinë e komisionit”, premtoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, zgjidhja e vetme për situatën që po kalon vendi si pasojë e bojkotit të opozitës, qëndronte vetëm në rekomandimet e delegacionit të Këshillit të Europës dhe në asnjë vend tjetër. “Deklarata është shumë e kthjellët, është kristal e qartë”, tha Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk pranoi të jepte detaje mbi diskutimet e tij dhe të kryetarit të PS-së, Edi Rama, dy ditë më parë në Presidencë. Në mënyrë të përsëritur, Kryeministri Berisha ka theksuar se koncesioni më i madh që mazhoranca mund t’i bëjë opozitës është lënia e shumicës së anëtarëve në komisionin parlamentar hetimor. Por sipas Berishës, ky komision nuk mund të ketë si objekt të tij hapjen e kutive të votimit, sepse kjo kërkesë bie ndesh me ligjet e vendit dhe me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
#