Deklarata e plotë
Në përfundim të vizitës së tyre në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), Mevlüt çavusoglu, liderët e pesë grupeve politike dhe bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë u bëjnë thirrje partive politike t’i japin fund krizës aktuale politike në vend, në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme.
Ata besojnë se mungesa e dialogut parlamentar minon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit. Ata vërejnë se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mirëpritën Rezolutën 1709 të APKE-së mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, të miratuar në sesionet plenare janarin e shkuar, në përgjigje të së cilës Presidenti Topi mblodhi një tryezë të rrumbullakët të liderëve politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010.
Delegacioni përgëzon Presidentin dhe inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e tij. Ata arrijnë në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme:
1. Krijimi pa vonesa të tjera të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive;
2. Ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për Kodin Elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709;
3. Opozitës do t’i jepej një numër i drejtë i kryesive të komisioneve parlamentare.
Lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vë re se të dy palët bien dakord që kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Delegacioni është i mendimit se kjo do të ishte e mjaftueshme për të mundësuar pjesëmarrjen e përhershme të opozitës në punën e Parlamentit. Ai u bën thirrje atyre ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.
#