Berisha, Ramës: Hiq dorë nga kullat
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duhet të heqë dorë nga kulla e cila ndan bulevardin “Zogu I” me sheshin “Skënderbej” dhe e shndërron atë në një rrugë qorre. Sikundër shtrohet problemi edhe për kullat e tjera, për të cilat instituti gjykon dhe vlerëson se janë një largim madhor nga identiteti i kompleksit.
Kjo është thirrja që kreu i qeverisë, Sali Berisha, bëri dje për kryebashkiakun Edi Rama, njëkohësisht kryetar të Partisë Socialiste në një konferencë për shtyp. Sipas Berishës, kjo thirrje vinte për të mirën e përbashkët të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, sepse sheshi “Skënderbej” ishte një simbol i të gjithë vendit. Kryeministri shpjegoi fillimisht se ishte i shqetësuar për rëndesën e madhe të trafikut dhe moszgjidhjen e kësaj çështjeje gjatë kryerjes së punimeve në shesh nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Nuk kam garanci për sa i përket trafikut. Sepse për të normalizuar trafikun, ajo Unazë është parashikuar të jetë me pesë korsi, por prej pesë korsive u hoq dorë për shkak të çmimit shumë të madh të shpronësimit”, deklaroi Kryeministri, duke parashikuar probleme të mëdha në lidhje me çështjen e trafikut në kryeqytet. Sipas Kryeministrit, një tjetër problem është edhe fakti se ky projekt bie në kundërshtim të hapur me ligjin e urbanistikës në vend dhe kjo e detyron kryetarin e bashkisë që ta çojë projektin për diskutim dhe për votim në Këshillin Qendror të Rregullimit të Territorit. “Projekti bie në kundërshtim me ligjin e urbanistikës dhe për këtë duhet të jetë objekt i diskutimeve më të gjera të lobeve dhe grupeve të specializuara që duhet të thonë fjalën e tyre”, rekomandoi kreu i qeverisë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha kujtoi se 10 vite më parë, Edi Rama, në pozicionin e ministrit të Kulturës, kishte propozuar shpalljen e sheshit dhe bulevardin qendror të Tiranës si një ansambël të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, propozim i cili kishte gjetur miratimin e qeverisë socialiste të kohës dhe respektohej edhe nga qeveria aktuale. Në mënyrë të përsëritur, kreu i qeverisë theksoi se qeveria nuk kishte asnjë synim për t’ia marrë kompetenca pushtetit vendor dhe kërkonte vetëm bashkëpunim për të mirën e qytetarëve.
“Qeveria nuk kërkon të marrë asnjë kompetencë të pushtetit vendor. Ne jemi të disponueshëm të kontribuojmë dhe ndihmojmë qeverinë vendore të Tiranës në të gjithë procesin e rindërtimit të sheshit”, theksoi Kryeministri. Ka qenë Kryeministri Berisha, i cili pak javë më parë ngriti edhe problemin e sheshit “Skënderbej” në një mbledhje të radhës së Këshillit të Ministrave. Kreu i qeverisë e cilësoi gjendjen aktuale të këtij sheshi si të turpshme dhe kërkoi që menjëherë Ministria e Transporteve të niste asfaltimin e tij. Me nisjen e këtyre procedurave pak ditë më pas nga ana e Ministrisë së Transporteve, i menjëhershëm ishte reagimi i Bashkisë së Tiranës. Punonjës të kësaj bashkie rrethuan në mesnatë sheshin dhe nisën aty punimet për fillimin e projektit të tyre për sheshin. Kryeministri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës kanë deklaruar se në rast se Rama nuk merr masa për ta riparuar projektin, atëherë qeveria do të ndërhyjë për prishjen e ndërtimeve të bëra nga ana e bashkisë.