Shqipëria e madhe, pasoja të paparashikueshme
Beograd- Ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, komentoi dje idenë e asaj çka cilësohet “Shqipëria e madhe”. Sipas tij, nëse dikush do të përpiqet vërtet të zbatojë platformën e Koço Danajt apo diçka të ngjashme për “Shqipërinë e madhe”, pasojat do të jenë vështirësish të parashikueshme dhe do të kishte një ndikim në sigurinë dhe paqen në të gjithë rajonin. “është koha që komuniteti ndërkombëtar t’u përgjigjet fort dhe menjëherë këtyre propagandimeve, duke u marrë shkrepësen nga duart këtyre që duan çojnë në luftë sërish rajonin”, citohet nga B92, të jetë shprehur Bogdanoviç. Ai reagoi kështu ndaj asaj çka cilësohet “platforma e Shqipërisë natyrale”, ku Danaj kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve shqiptare në Ballkan brenda vitit 2013, duke krijuar një shtet të ri shqiptar me më shumë territore. Sipas Danajt, ky shtet i ri do të përfshijë, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë nga Serbia, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi, ku jetojnë shqiptarët, të cilët mund të shprehen me referendum. Duke këmbëngulur se kjo ide “nuk është e re për ne”, Bogdanoviç tha se një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ka injoruar deklarata të tilla, ndërsa gjithë komuniteti ndërkombëtar “ju përgjigj menjëherë disa planeve për Serbinë e madhe”. Ministri tha se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, pohoi në raportin e tij se “problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në bashkëpunim mes palëve”. Bogdanoviç përsëriti gjithashtu se Serbia në shumë raste ka shprehur shqetësim se tërheqja e përshpejtuar e KFOR-it është e papranueshme, “për aq kohë sa gjithë faktori ndërkombëtar thotë se situata në Kosovë dhe Metohi është e qetë në sipërfaqe, por e brishtë”. “Tërheqja e KFOR-it shtron pyetjen dhe shqetësimin se si enklavat serbe mund të mbijetojnë. Që nga viti 1999, shoqëria në Kosovë është karakterizuar nga dhuna dhe ka funksionuar mbi principet e konfliktit”, pohoi ai. Dikush, vijoi ai, kërkon të provojë me çdo çmim se siguria e serbëve në Kosovë është përmirësuar”.
#