E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duam obelisk për viktimat e komunizmit, te vendi i Enver Hoxhës

Të përndjekurit

Në çështjen e sheshit “Skënderbej” dhe projektit belg, dje u përfshinë edhe përfaqësuesit e shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Ata kanë kërkuar ndryshimin e projektit dhe në vendin ku dikur qëndronte busti i Enver Hoxhës, tani të ndërtohet një obelisk, në nder të viktimave të sistemit komunist.

Krerët e këtyre shoqatave e kanë bërë të qartë që në fillim se kërkesa e tyre nuk ka të bëjë me asnjërën nga pikat e mosmarrëveshjes mes bashkisë dhe qeverisë, por thjesht duan ndryshimin e projektit te vendi ku deri 19 vjet më parë ngrihej busti i diktatorit Enver Hoxha. Ish të përndjekurit kërkojnë atje ngritjen e obeliskut në përkujtim të viktimave të regjimit komunist dhe kryetari i njërës prej shoqatave, Besim Ndregjoni, beson se kryetari i bashkisë, Edi Rama, do ta përmbushë këtë kërkesë. “Në vitin 2006 është vendosur që këtu të ndërtohet memoriali i të përndjekurve politikë, siç është vënë në Uashington, në Pragë, në Varshavë, Budapest. Unë besoj që Edi Rama do të ketë ndërgjegjen kombëtare që të zhdukë kullat dhe të vendoset memoriali, sepse kjo i shërben historisë së këtij kombi më shumë se kullat. Nuk mund të mohohet historia e krimit 45-vjeçar në Shqipëri dhe unë besoj që Rama do të reflektojë dhe këtu do të vihet busti i të përndjekurve politikë”, u shpreh Ndregjoni. Një tjetër kërkesë është bërë dje nga ish të përndjekurit, por këtë herë për qeverinë Berisha. “I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, Kryeministrit Berisha, menjëherë, me një vendim të përshpejtuar, të caktojë vendin në kryeqytet për ndërtimin e një parcele kombëtare, ku të varrosen të gjithë të ekzekutuarit politikë nga regjimi komunist, si dhe figura të shquara antikomuniste”, u shprehën përfaqësuesit e shoqatave të ish të përndjekurve politikë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›