Bojaxhi: Policët para, ndërtimorët pas
Gjergj Bojaxhi, kryeinspektori i sapoemëruar i Inspektoratit të Ndërtimit, ka deklaruar publikisht se do të bllokojë punimet që Bashkia e Tiranës ka nisur në qendër të kryeqytetit. Ai ka kërkuar ndihmën e organeve të Ministrisë së Brendshme, pasi sikundër ka pohuar edhe vetë Bojaxhi, institucioni që ai drejton nuk mund të përleshet trup më trup me asnjë. Në këtë mënyrë Bojaxhi i ka paraprirë një skenari të mundshëm dhe të pritshëm në sheshin “Skënderbej”, që duket se thjesht për çështje kohe do të shndërrohet në arenë përplasjesh edhe fizike mes dy pushteteve.
“Di që Bashkia e Tiranës nuk ka leje nga KRRTRSH-ja për punimet në shesh. Inspektorati pa dyshim do t’i trajtojë të gjitha punimet publike, të cilat bëhen pa miratimet përkatëse. Institucioni jonë do të bëjë shkresën dhe është policia e rendit ajo që bën zbatimin fizik të sheshit”, deklaroi Bojaxhi, duke kujtuar në këtë mënyrë detyrimet e institucioneve të tjera të qeverisë qendrore në këtë konflikt, që pritet të marrë përmasa të dhunshme. Kryeinspektori i ri, Gjergj Bojaxhi, ka sqaruar se prezenca e uniformave blu do të jetë e domosdoshme, “sepse inspektorati qendror nuk ka as për detyrë dhe as nuk duhet të përleshet trup më trup me askënd, as polici, as individ”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se “duhet që Policia e Shtetit të sigurojë ambientin, pra sheshin, në mënyrë që policia ndërtimore të bëjë veprimet që ia kërkon ligji”.
Por duket, se me tendencën për të mos e çuar çështjen deri në këtë pikë, sërish Bojaxhi ka apeluar ndaj drejtuesve të bashkisë së kryeqytetit, që të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar ligjor. “Unë do të thosha që Bashkia e Tiranës fare mirë mund ta evitojë këtë gjë, duke shkruar dhe bërë aplikimin për leje”, theksoi Bojaxhi, si për t’ia lehtësuar disi misionin e vështirë vetes.
Nga ana tjetër, Bojaxhi është shprehur i vendosur për të prishur të gjitha ndërtimet pa leje, një mision ky që thuajse të gjithë drejtuesit përpara tij kanë dështuar. Por kryeinspektori i sapoemëruar nuk ka ngurruar që të pohojë zyrtarisht se kjo punë për prishjen e ndërtimeve pa leje në vend do të fillojë menjëherë pas një riorganizimi të inspektoratit. “Ne këto objekte do t‘i prishim, është shumë e thjeshtë. Unë edhe e thashë, është diçka e vështirë, mund të jetë edhe e dhimbshme, por është diçka e nevojshme, në qoftë se ne duam të jetojmë në një shoqëri normale dhe një shtet normal”, u shpreh Gjergj Bojaxhi.
Por në një rrëfim të sinqertë ai ka pranuar se puna në krye të inspektoratit është më e vështirë se ajo që mbante si drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. “Unë e quaj këtë, misioni i pamundur numër dy”, ka thënë Bojaxhi.
Ndonëse akuzat dhe sulmet nga vetë Kryeministri dhe disa ministri nuk kanë reshtur lidhur me fillimin e punimeve të zbatimit të projektit belg për sheshin “Skënderbej”, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës zyrtarisht kanë ngurruar që të deklarohen, duke mbetur gojëkyçur. Ata janë mjaftuar vetëm me deklaratat në ditën e çeljes së punimeve dhe tashmë duket sikur presin vetëm lëvizjen e radhës të kundërshtarit politik. E ashtu sikundër ka ndodhur edhe në dy-tre raste të tjera, përballja e forcës mes uniformave blu të Ministrisë së Brendshme dhe atyre të Policisë Bashkiake do t’u ofrojë shqiptarëve sërish spektaklin e shëmtuar, ku shteti godet shtetin.
#