E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shprehja e Havel ‘Unë jam shqiptar’ mbështeti clirimin e Kosovës

TIRANE-Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e funeralit shtetëror në nderim të ish-Presidentit çek Vaclav Havel, që u zhvillua në katedralen St. Vitus, në Kështjellën e Pragës.

Duke e cilësuar ish-presidentin Havel si disidentin kryesor të botës intelektuale në ish-vendet komuniste, një nga cekët dhe evropianët më të shquar të të gjitha kohërave, por edhe një personalitet të vërtetë botërorë, në një prononcim të dhënë për Televizionin Publik Shqiptar kryeministri Berisha shprehet se Havel ishte miku më i madh i shqiptarëve.

“Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave , i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve shkrimi i tij se, “Unë jam shqiptar”, në një kohë kur barbaritë serbe, po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëra vjeçare të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj”.
Berisha cilësoi se havel ishte jo vetëm ceku më i shquar i Cekisë, por edhe një personalitet botëror.
“Sot, Vaclav Havel, u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni ndër më përfaqësueset që është zhvilluar ndonjëherë. Kjo, sepse Vaclav Havel , ishte një nga çekët më të shquar të të gjitha kohërave, por ishte dhe një nga europianët më të shquar të të gjitha kohërave dhe një personalitet i vërtetë botëror. Presidenti Havel, përfaqëson intelektualin simbol, disident, i cili pasi çliroi veten e vet dhe e vendosi për disidencë, udhëhoqi disidencën Cekosllovake të asaj kohe dhe u bë një nxitës, inkurajues i madh për inteligjencën e vendeve ish-komuniste, për të dalë nga konformizmi”.

Berisha theksoi se Havel, së bashku me Andrei Sakharov, nuk u larguan nga vendet e tyre, por ndanë fatin me qytetarët, ndanë persekutimin, burgjet dhe privacionet e mëdha me qytetarët e tyre.

“Bota gjithnjë ka nevojë të inspirohet nga personalitete si Vaclav Havel” shtoi Berisha.
Të pranishëm në këtë funeral shtetëror ishin zyrtarë të lartë botërorë, kryetarë shtetesh si dhe përfaqësues të tjerë të njohur të politikës dhe të fushave të tjera.

Ish-Presidenti çek Havel u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Vaclav Havel ishte Presidenti i parë dhe i vetëm post-komunist i Republikës Federative të Çekosllovakisë (1989- 1992) dhe Presidenti i parë i Republikës së Çekisë (1993 – 2003). Ish-dramaturgu i njohur Havel është konsideruar si një prej disidentëve më të fortë anti-komunist në ish-bllokun lindor.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›