E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria në NATO, hapja e një epoke të re

Kryeministri Berisha ka deklaruar përmes një konference për shtyp nga Strasburgu se me Aleancën e Veriut tashmë hapet një kapitull i ri për të ardhmen e Shqipërisë. Anëtarësimin në NATO, kreu ekzekutiv e ka quajtur mbylljen e një kapitulli shekullor dhe hapjen e një epoke të re për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, që do të ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend. Gjithashtu Berisha ka theksuar se pas anëtarësimit në Aleancën e Veriut është një përgjegjësi e madhe për konsolidimin e vlerave të demokracisë, ku ndër të tjera deklaroi edhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Për të përqendruar përpjekjet për paqen stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kryeministri Berisha ka nënvizuar faktin se qeveria shqiptare do të shtojë kompani ushtarake dhe oficerë më tepër. Duke përshëndetur vendimin e presidentit të SHBA, Barack Obama, për të përqendruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kam kënaqësinë tju informoj se qeveria ime do të shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesëmbëdhjetë mjekësh dhe infermierësh, ka thënë kreu i qeverisë. Gjatë një konference për shtyp, ku ishin të pranishëm media dhe gazetarë nga e gjithë bota, kryeministri Berisha duke u paraprirë zgjedhjeve të qershorit , ka premtuar dhe ka garantuar se qeveria e tij do të bëjë përpjekje maksimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë zotim, e kam bërë në këtë Samit për të ftuar vëzhgues nga vendet anëtare të NATO- s, që të jenë pjesëmarrës në zgjedhjet e 28 qershorit, ka theksuar ai. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare ka falënderuar presidentin e SHBA për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë. Duke iu drejtuar atij në fjalën përshëndetëse, Berisha ka përmendur sakrificat që vendi ynë ka hasur gjatë viteve. Kombi im është një komb me rrënjë tejet të gjata. Në udhëtimin e tij shumë të vështirë, në përpjekjet e tij shekullore për liri dhe dinjitet ka provuar luftëra, pushtime, diktatura dhe copëtime të egra e të pamerituara. Historia e tij është ajo e rrëzimeve të shpeshta dhe sërish e ngritjeve të mundimshme, por mjerisht vetëm në limitet e mbijetesës. Diktatura  ndërtoi tre herë më shumë bunkerë se sa apartamente banimi, ka theksuar kreu i qeverisë Berisha.

Last Updated on Monday, 06 April 2009 08:53

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›