E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti Mysliman: Deklarata Bejës për heqjen e shamisë në shkollë është i nxituar

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e konsideron si të nxituar prononcimin e ministrit të arsimit dhe të shkencës në lidhje me shaminë, sidomos në një kohë kur Shqipëria është bërë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe pretendon të aplikojë për anëtarësimin në BE. Në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi Kryetari i KMSH,  H. Selim Muça, ka kërkuar edhe një takim zyrtar me Ministrin e Arsimit, por ai nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje. Me këtë rast Komuniteti Mysliman, si institucion mbrojtës i të drejtave të myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, shpreh indinjatën e tij dhe të gjithë myslimanëve që përfaqëson ndaj fenomenit të përsëritur të privimit arbitrar të vajzave me shami nga e drejta kushtetuese për arsimim, duke deklaruar edhe njëherë se veshja e vajzave myslimane me shami koke nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit Islam. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i garanton çdo shtetasi shqiptar të drejtën e arsimimit dhe të lirisë së besimit. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu askush nuk mund të diskriminohet dhe të privohet nga e drejta e arsimimit vetëm për bindjet fetare. Për këtë arsye Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, kërkon që këtij problemi t`i jepet rrugëzgjidhje brenda kornizave kushtetuese, pasi asnjë rregullore, urdhër apo deklaratë, nuk mund ti privojë asnjë njeriu të drejtat kushtetuese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›