Berisha: Shqiptarët do kenë shumë shpejt internetin më të lirë në mbarë Europën
Berisha premton se nuk do ketë vend të zhvilluar në Europë që do na konkurrojë për çmimet e internetit. Posta Shqiptare do ofrojë internetin me çmimet e ulëta. Edhe pse foli për internetin dhe komunikimin online, Berisha sërish sulmoi Ramën pse komunikon përmes rrjeteve sociale. Berisha: Unë do u flas direkt shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se dy vite më parë ai kishte ngritur shqetësimin e çmimit të shtrenjtë të telefonatave. Berisha tha se tani qeveria e tij ka zhdukur shprehjen: Ma bëj një zile.
Dy vite më parë ne shprehëm shqetësimin për çmimet e larta me të cilat përballej qytetari në komunikimet e tij. Këto ishin çmime më të larta të rajonit, megjithë uljen progresive që kishin pësuar që nga viti 2005 deri në vitin 2010. Prapëseprapë ato ulje të rëndësishme nuk ishin përgjigja e merituar. Shqiptarët komunikojnë më shumë se çdo komb në rajon. Ne arritëm të arkivojmë shprehjen: Më bëj një zile, u zëvendësua tani nga ciu- ciu. Është faktuar që ka një rënie të ndjeshme, çka do të thotë një kursim të ndjeshëm nga qytetarët shqiptarë. Flasim sot me një çmim krejtësisht tjetër. Në Shqipëri telefonia mobile është rritur në nivelet më të larta që mund të ekzistojë gjëkundi, tha Berisha.
Kryeministri premtoi se shqiptarët shumë shpejt do kenë internetin më të lirë në Europë. Sipas tij, internetin do e sigurojë Posta Shqiptare, e cila do e marrë nga jashtë dhe do e shpërndajë ose vetë, ose do ua shesë me çmime shumë të lira kompanive shqiptare. Ne do u ofrojmë shqiptarëve gjatë muajve që vijnë internet me çmimet më të ulëta në Europë. Nuk do ketë një vend të dytë, pavarësisht nga madhësia dhe zhvillimi teknologjik, që do të ofrojë internet më lirë se në Shqipëri. Qeveria nuk ndërhyn në treg, por respekton interesat jetike të qytetarëve shqiptarë. Çmimet e internetit janë të pamerituara. Ne do bëjmë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të marrin internetin me çmimin më të ulët. Sot shqiptarët kanë kompjuter në xhep. Ata duhet të kenë internet me çmimin më të leverdisshëm. Ndaj qeveria po merr masat. Shpreh keqardhje për çmimin me të cilin iu shitet sot interneti, por absolutisht me shpejtësi të madhe do bëj që ata ta blejnë me çmimin më të ulët në Europë ose ta kenë gratis në 1200 pika në vend. Është e domosdoshme në mënyrë që të shfrytëzohet sa më shumë, sa më gjerësisht universi i botës virtuale. Posta Shqiptare do kontraktojë shërbimin e internetit dhe do ua ofrojë kompanive të tjera në vend me çmimet më të ulëta që ekzistojnë, tha Berisha.
Edhe pse foli për internetin dhe komunikimin online, kryeministri megjithatë nuk e honeps faktin që kundërshtari i tij komunikon përmes rrjeteve sociale. Të bësh politikë çdo ditë në ciu- ciu nuk shkon. Por çdo njeri është i lirë të zgjedhë mënyrën e komunikimit. Unë do vazhdoj të komunikoj direkt me qytetarët e këtij vendi, tha Berisha.