E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Nuk ka rinumërim në Tiranë

15/07/2009  PS kërkoi rinumërim, Ristani akuzoi socialistët për prishje procesi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesat ankimore të tri subjekteve zgjedhore: PS, PBDNJ dhe LZHK, për rinumërim dhe rivlerësim të votave në 6 KZAZ-të e Qarkut të Tiranës. Vendimi i komisionit u mor pas një mbledhjeje të gjatë disaorëshe, pas replikave, akuzave apo toneve të ashpra që palët, deri edhe anëtarët e KQZ-së, hodhën kundrejt njëri-tjetrit. Vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë nënkryetaren e KQZ-së Dëshira Subashin dhe anëtarin Artan Lazaj se në bashkëpunim me PS-në kishin koordinuar veprimet e tyre për prishjen e procesit zgjedhor. Mospranimi i kërkesës u bë për shkak të pamundësisë së palëve për të vërtetuar shkeljet e pretenduara.

Debatet

Kërkesa e dyshes së anëtarëve Subashi-Lazaj për të hapur kutitë ka ndezur dhe acaruar sërish tonet e diskutimit mes palëve në komision, debat i cili përveç disa palëve ankimuese nuk ka ndryshuar aspak nga seanca e një ditë më parë që u zhvillua në KQZ për Qarkun e Beratit. Po ashtu ajo kërkoi edhe administrimin e pamjeve filmike, që gjithashtu nuk u mor parasysh. “Kërkesa e dy anëtarëve ka si qëllim sigurimin e proces në zgjidhje të ankimimit dhe nuk përbën domosdoshmërisht vendimmarrjen e KQZ-së”, - tha Subashi. Ajo dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës përmendën pikën 3 të nenin 138 të Kodit Zgjedhor, i cili në mënyrë apriori detyron KQZ-në të pranojë këtë kërkesë. Anëtari i KQZ-së Klement Zguri gjykoi se çështja nuk ka asnjë bazë ligjore për të vijuar ankimimin, prandaj kërkoi rrëzimin e saj. Ndërsa kryetari Ristani citoi terma të ligjit për të dhënë argumentin e tij. “Ligji jo me kot përdor ‘vota të caktuara’, pasi nënkupton vota për të cilat është lënë gjurmë. Kjo gjurmë mungon në materialet zgjedhore të këtyre KZAZ-ve”, - tha ai. Në përfundim të fjalës ai akuzoi drejtpërdrejtë anëtarët për përfshirjen politike të tyre në procesin ligjor. “Kërkesa është e pabazuar ligjërisht dhe e koordinuar politikisht. Ajo është nxitur politikisht mes ankuesit dhe anëtarëve të KQZ-së. Ky lloj koordinimi është për të prishur procesin zgjedhor”, - tha ai. Kundër kërkesave në fjalë, me të njëjtin argument, u deklarua edhe përfaqësuesi i LSI-së në KQZ Ilirian Muho. Me 4 vota “pro” dhe 3 “kundër” KQZ-ja vendosi rrëzimin e kërkesave ankimore të tri subjekteve zgjedhore.

Ankimimet

Subjektet ankimuese, kryesisht të PS-së, kërkuan rivlerësim të votave edhe në ato KZAZ ku shumica e komisonerëve ishin të majtë. “Numëruesi i PS-së ka qenë nën presion të zyrtareve të lartë të pushtetit qendror dhe vendor, prandaj vota nuk është administruar siç duhet. Në vendimet e KZAZ-së nuk ka vërejtje, por ato janë pasqyruar në librin e protokolleve dhe të procesverbaleve të grupeve të numërimit të votave”, - tha përfaqësuesi ligjor i PS-së Bledar Skënderi. Në këtë qark PBDNJ-ja kishte nga një vëzhgues për vendet e numërimit të votave, ndërsa LZHK-ja nuk kishte as komisionerë dhe as vëzhgues.

Replikat

Muho - PS-ja vetëm ankohet dhe nuk ka asnjë provë që të vërtetojë shkeljet.

Skënderi - LSI-ja nuk i ka parë provat, pasi ka qenë e etur për pushtet.

Kosovrasti i drejtohet Gjiknurit - Mos më provoko, se do të them ndonjë gjë të rëndë!

Muho i thotë Kosovrastit - Thuaja, Njazi: marrëveshje PD-PS para zgjedhjeve.

.................................................................

Kosovasti - Kushtetuta dhe kodi u tregon dy anëtarëve (Subashit-Lazajt) të votojnë pro ligjit dhe jo sipas urdhrave politikë. ǒështë ky anësim i dy anëtarëve? Për këto qëndrime mendoj se duhet parë edhe qëndrimi i tyre në atë tavolinë të nderuar të anëtarëve. Ajo zonjë s’duhet të jetë aty, por në karrigen e përfaqësuesit politik të PS-së.

Subashi - Zoti Kosovrasti, nuk mund të flisni për anëtarët në këtë mënyrë. Zoti kryetar, ju duhet t’i ndërpritni fjalën zotit Kosovrasti!

Ristani - Qetësohuni, ai ka të drejtën e fjalës.

Kosovrasti - Nuk më censuroni dot të drejtën e fjalës ju mua! Iku ajo kohë, zonja Subashi, kur censuronit fjalën e vartësve tuaj, gjykatës apo prokurorë!

Subashi - Kjo sjellje, zoti Kosovrasti, nuk ju nderon as juve dhe as partinë që përfaqësoni. Për të disatën herë ai më sulmon mua. Por populli thotë: “Gjuhet pema që ka më shumë kokrra”.

Zguri - Është e kotë të bëjmë viktimën këtu. Edhe ne jemi sulmuar nga podiumet politike për kallëzime penale dhe nuk u ndiem. Debatin mendoj se e bëjmë në një nivel më të lartë se kaq, pasi ne jemi profesionistë.

..............................

Zguri - Kërkesa për pamjet filmime është njësoj si dhëndri, i cili, pasi ka fjetur gjithë natën me nusen, i kërkon në mëngjes një fotografi! PS-ja i ka pasur atje komisionerët e saj.

................................................

Skënderi - Drejtimi i KQZ-së më 2007-n, në kohën kur e drejtonte zoti Gjata, ishte më profesionalë sesa ç’është sot që e drejtoni ju zoti Ristani.

Komisioni do të diskutojë ankimimin për Shkodrën

Ankimimet për rezultatin zgjedhor të Qarkut të Shkodrës pritet të jenë në qendër të mbledhjes së KQZ-së paraditen e sotme. Për këtë qark kanë depozituar pranë saj ankesat e tyre për ecurinë e procesit tri subjekte zgjedhore: Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane. Konkretisht, PS-ja kundërshton vendimet e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor nr. 40, 41, 42, 43 dhe 44. Po ashtu kërkohet ndryshimi i vendimit të KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për këtë qark. Në këtë mënyrë, PS-ja ka ankimuar të gjithë rezultatin e këtij qarku. Ndërsa Partia Demokratike ka kundërshtuar vendimin e ndërmjetëm të vetën një KZAZ-je, nga 5 që ka gjithsej Qarku i Shkodrës. Gjithashtu ajo, ashtu si dhe kundërshtarja e saj politike, ka kërkuar ndryshimin e vendimit e KQZ-së për rezultatin përfundimtar të qarkut. Ky qark do të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me 11 mandate dhe sipas rezultatit paraprak 7 mandate janë fituar nga koalicioni “Aleanca e ndryshimit” dhe 4 mandate “Bashkimi për ndryshim”. Ankimimet e tri subjekteve pritet të kenë si përgjigje nga KQZ-ja të njëjtën që ky komision dha edhe për Qarkun e Tiranës dhe të Beratit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›