Berisha-Turk:Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë

Vizita e presidentit Slloven Danilo Turk në Tiranë ka vijuar me një vizitë në Varrezat e Dëshmorëve dhe me një takim me krerët më të lartë të qeverisë. Kështu Turk është takuar me kryeministrin Berisha, me të cilin kanë konstatuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u ndalën veçanërisht në nxitjen e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh.
Duke shprehur falënderimin për mikpritjen e rezervuar në këtë vizitë, presidenti Turk tha se ishte i impresionuar për reformat që janë ndërmarrë në Shqipëri. "Shqipëria", tha presidenti Turk, "tashmë e ka kaluar periudhën e tranzicionit dhe po përjeton integrimin euroatlantik, si një proces të nevojshëm, në të cilin keni të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e Sllovenisë". Presidenti slloven shprehu gjithashtu mbështetjen për të gjitha reformat dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrim dhe për t'iu afruar standardeve të BE-së.Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi një takim me presidentin slloven, Danilo Turk. Kreu slloven u shpreh se Shqipëria është në një fazë të re drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërsa kryetarja e Kuvendit theksoi se liberalizimi i vizave mbetet prioritet i maxhorancës.Një ditë më parë kreu slloven theksoi se vendi i tij ka qenë në mbështetje të axhendës së Shqipërise për integrimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.