Berisha: Vendimi i Kushtetueses absurd, por e pranojmë
Kryeministri sulmon ashpër anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. "U plotësua standardi i Mark Abdisë"
TIRANË- Vetëm pak minuta pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi zyrtarisht vendimin për pezullimin e ligjit për dosjet, Kryeministri Sali Berisha ka hyrë furishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, që mbahej vetëm pak metra nga selia e gjykatës.
"Sot është marrë një vendim jashtëzakonisht i rëndë, sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi, në kundërshtim flagrant me çdo standard të një vendi të lirë.
Me këtë vendim, që mund të quhet thjesht standardi i Mark Abdisë, Gjykata Kushtetues dhunoi një parim universal të etikës së gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti i interesit dhe nga dukuria sikur je në konflikt interesi, ajo theu ligjin e saj organik që nuk i lejon gjykatësit të vendosin në konflikt interesi",- tha dje Berisha para deputetëve të Partisë Demokratike. Kryeministri i vendit theksoi se, ky vendim nuk do të mund të pengojë dënimin e krimeve kundër njerëzimit të sistemit komunist, por shtoi se, Gjykata Kushtetuese i dha, sipas tij, një goditje të rëndë parimësisë, kodit etik të gjyqtarit dhe të gjyqësorit. Kryeministri Berisha futi në lojë edhe institucionet ndërkombëtare teksa shtoi se pikërisht më këto të fundit kishte rënë dakord për të gjetur modalitetet, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese, të mund të shprehej jashtë konfliktit të interesit.
"A mundet që kjo mazhorancë, e cila lindi si një përballje gjigante me diktaturën dhe krimet e saj monstruoze, të tërhiqet dhe të heqë dorë nga dënimi i krimeve kundër njerëzimit? Kurrë jo! Përkundrazi, këto që ndodhin dëshmojnë se ky proces është jetik. Çfarë i shtyu ata të votojnë në një moment kritik për etikën dhe parimet e mëdha të etikës së gjyqtarit, përveç çështja e "karriges" së tyre"?,- tha ai.
Por, njësh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit, për të cilin Berisha u shpreh se kishte konflikt interesi, deri më sot kanë qenë edhe faktori ndërkombëtar, shoqëria civile dhe opozita. Ndaj, Kryeministri i vendit, i shtyrë më shumë nga presioni ndërkombëtar, ka deklaruar se do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
"Duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të detyruar që, për shkak të parimeve të shtetit ligjor, vendimin ta marrim parasysh. Unë e kuptoj që ky është një mesazh tmerrësisht i hidhur, që marrin sot qindra e mijëra familje shqiptare që përjetuan kalvarin më të egër, inkuizicionin e luftës së klasave.
Por, më lejoni të zotohem para tyre se, këtë betejë do ta vazhdojmë pandërprerje, gjithnjë në përputhje më rregullat e shtetit ligjor. Qeveria nuk mund t'i lejojë vetes të dalë mbi gjykatën, pavarësisht nga vendimi absurd i tyre. Ajo është organ ekzekutiv, është e detyruar me ligj e Kushtetutë të vetëkufizohet",- tha Berisha. Po dje, Kryeministri i vendit ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Kryetarit të opozitës, Edi Rama.
"Duke theksuar se vendimin ne do ta zbatojmë, sepse nuk mund të hedhim poshtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ai është absurd dhe pavarësisht se pas këtij vendimi është kryekëput Edi Rama, avokat kryesor i krimeve të shëmtuara të sistemit komunist, ne do të vazhdojmë në mënyrë të vendosur betejën në këtë drejtim. Ne jemi shumicë, ne kemi Parlamentin, ne do të vazhdojmë betejën tonë të pandërprerë, në kuadrin e shtetit ligjor", -tha ai.