E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët: Na mbroni nga dhuna e pacientëve

PETICIONI/ Mjekë dhe infermierë të spitalit të Fierit kërkojnë mbrojtje në shërbimin e urgjencave


FIER - Në mesnatën duke u gdhirë data 16 shkurt, në spitalin rajonal të Fierit të sëmurët janë zgjuar të tmerruar.


Thyerje xhamash, britma, thirrje për ndihme dhe uniforma policie jashtë institucionit i ka detyruar më "trimat" të nxjerrin kokën jashtë nga dritarja për të parë se çfarë po ndodhte. Vetëm mbas disa orësh, gjithçka është sqaruar.

Aktorë të kësaj zhurme kanë qenë disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë mbi personelin mjekësor të shërbimit të urgjencës së këtij spitali, të cilët më pas nuk kanë ngurruar që të bëjnë një peticion në të cilin kanë kërcënuar me lënien e punës në rast se nuk merren masa për mbrojtjen e tyre nga ngjarje të tilla.
Peticioni

Mbi 40 vetë, personel mjekësor i lartë dhe i mesëm kanë firmosur një peticion duke vënë në dijeni drejtorinë e spitalit Fier lidhur me situatën e krijuar në shërbimin e urgjencave të spitalit rajonal të Fierit. Midis të tjerave, në këtë peticion thuhet: "Ju vëmë në dijeni se i gjithë stafi i shërbim - urgjencës ndihet i rrezikuar për jetën dhe kërkon nga ana juaj të merren masa të menjëhershme për të ndryshuar këto situata, të cilat janë shumë të shpeshta në repartin e pranim - urgjencës, në të kundërtën do të ndërpresim punën...". Sipas këtij peticioni, rreth orës 01:00 duke gdhirë e hënë në urgjencë janë paraqitur disa persona, të cilët kanë hyrë në repart shumë të dhunshëm duke thyer xhama në derën kryesore. Personeli i urgjencës së turnit ka dalë për t'i qetësuar, por është ndeshur me dhunën e tyre. Personat kanë qëlluar infermierët Agron Gjeli, Armando Karajfili, Saimir Hoxha, mjekët Indrit Kllashi, Lulëzim Banushi, si dhe infermieren e mjekimit Lili Prifti. Lidhur me situatën janë lajmëruar forcat e rendit, dhe mësohet se edhe pse këta të fundit ishin të pranishëm, përsëri është ushtruar dhunë mbi personelin.


Reagimi


Lidhur me ngjarjen e ndodhur, drejtoria e spitalit të Fierit ka reaguar menjëherë pas peticionit të personelit të urgjencës, i cili kërcënoi se do të ndërpresë punën në rast se nuk ndërhyhet.


Drejtoresha e këtij spitali, Najada Jahiqi, i ka dërguar një letër Drejtorisë së Policisë Fier ku i ka kërkuar ndihmë lidhur me situatat e dhunshme që ndodhin në këtë spital, sidomos atë të datës 17 shkurt 2009.


Në letër Jahiqi shprehet se kërkohet ndihmë brenda mundësive dhe hapësirave ligjore. Gjithsesi, personeli i spitalit të Fierit dje është solidarizuar me personelin e pranim - urgjencës. "Merrni masa, ndryshe do të kalojmë në protesta!" janë shprehur shumë mjekë të këtij spitali.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›